Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baghaei, ka deklaruar se shkëmbimet diplomatike mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara po vazhdojnë përmes ndërmjetësuesve, pavarësisht sulmeve amerikane ndaj Iranit dhe përshkallëzimit të tensioneve në rajon.
Në një konferencë për media të hënën, Baghaei tha se Irani ka marrë mesazhe përmes ndërmjetësuesve dhe se kanalet diplomatike kanë qenë aktive gjatë ditëve të fundit.
“Jemi informuar nga ndërmjetësuesit, kemi marrë mesazhe – pa hyrë në detaje – por pika kryesore është se aparati diplomatik ka qenë aktiv ditët e fundit dhe disa ide na janë përcjellë nga ndërmjetësues të caktuar”, tha ai.
Megjithatë, Baghaei theksoi se Irani nuk do të lejojë që Ngushtica e Hormuzit të përdoret për të kërcënuar sigurinë e vendit.
Ai shtoi se Teherani është “i vendosur të marrë masat e nevojshme” për të mbrojtur sovranitetin e tij.