Të marten e 23 gushtit, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka përkujtuar 15-vjetorin e vdekjes së aktorit të njohur të filmit dhe teatrit, Faruk Begolli.

Në një mjedis me shumë artdashës, vepra, jeta dhe kontributi i Faruk Begollit u cilësuan tejet të rëndësishme për filmin dhe teatrin në Kosovë.

“Në këtë ngjarje morën pjesë këshilltari i ministrit të MKRS-së, Liburn Jupolli, sekretari i MKRS-së, Bislim Bislimi, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti, regjisorë të filmave dhe aktorë’, thuhet në postimin e MKRS-së në Facebook.

Në postimin e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit tutje thuhet se këshilltari i ministrit Çeku, Liburn Jupolli në fjalën e tij ka thënë se Faruk Begolli ishte një prej figurave qendrore të zhvillimit të profilit të aktrimit, teatrit dhe kinematografisë në Kosovë, duke theksuar se ai ishte personalitet që dha kontribut të jashtëzakonshëm në arsim për brezat e rinj.

Foto e postuar në llogarinë e MKRS-së në Facebook

“Aktori Faruk Begolli ka studiuar në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd. Ai ishte bashkëthemelues i Degës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës si dhe bashkëthemelues i Teatrit “Dodona” në Prishtinë. Jeta e tij artistike ishte mjaft e pasur me role, kishte luajtur në më shumë se 60 filma”, shton Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

MKRS ka shtuar se në oborrin e Ministrisë së Kulturës, të marten deri në orën 24:00 do të shfaqen filma në të cilët ka luajtur aktori Faruk Begolli.