Ministria e Mbrojtjes njoftim mbi situatën nga zjarret – vetëm një vatër aktive
Pas disa ditësh me përhapje të vatrave të zjarrit në disa zona të Shqipërisë, reshjet e shiut të regjistruara në dy ditët e fundit kanë ndihmuar ndjeshëm në shuarjen e tyre. Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur të mërkurën se aktualisht është aktive vetëm një vatër zjarri, në fshatin Spatharë të njësisë administrative Vëndreshë, […]
Pas disa ditësh me përhapje të vatrave të zjarrit në disa zona të Shqipërisë, reshjet e shiut të regjistruara në dy ditët e fundit kanë ndihmuar ndjeshëm në shuarjen e tyre.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur të mërkurën se aktualisht është aktive vetëm një vatër zjarri, në fshatin Spatharë të njësisë administrative Vëndreshë, bashkia Skrapar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë 24 orëve të fundit janë shuar të gjitha vatrat e tjera në territorin e vendit.
Ndërkohë, Instituti i Gjeoshkencave parashikon reshje të dobëta për ditën e sotme në qarqet Kukës, Dibër, Elbasan, Berat dhe Korçë, si dhe reshje të shpërndara në pjesën tjetër të vendit.
Sa i përket nivelit të rrezikut nga zjarret:
- Qarku Fier paraqitet me rrezik të lartë.
- Qarqet Elbasan, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër me rrezik të moderuar.
- Qarqet Lezhë, Durrës dhe Tiranë me rrezik të ulët.
Ministria e Mbrojtjes vazhdon të ndjekë situatën në terren në bashkëpunim me strukturat vendore dhe forcat operacionale për parandalimin dhe ndërhyrjen në rast të përhapjes së ndonjë vatre të re zjarri.















