Ministrja Gërvalla deklarohet lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë: Jam tërësisht e pafajshme
Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë në shqyrtimin fillestar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Deklarimin rreth fajësisë, ministrja Gërvalla e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Paulin Pashku, raporton “Betimi për Drejtësi“. “Jam tërësisht e pafajshme”, […]
Donika Gërvalla, ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe zëvendëskryeministre, është deklaruar e pafajshme lidhur me akuzën për mosraportim të pasurisë në shqyrtimin fillestar të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Deklarimin rreth fajësisë, ministrja Gërvalla e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori Paulin Pashku, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Jam tërësisht e pafajshme”, tha Gërvalla.
Gjykatësi i rastit, Dibran Jusufi, e njoftoi atë dhe mbrojtësen e saj, Saranda Keqekolla-Sadiku, se mund të paraqesin në afat prej 30 ditësh kërkesë për hedhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave.
Në seancë mungoi përfaqësuesi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, tani Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK).
Më 20 qershor 2023, Gjykata kishte caktuar mbajtjen e shqyrtimit fillestar, mirëpo seanca kishte dështuar pasi ministrja nuk kishte angazhuar avokat.
Rasti i ministres Gërvalla ishte caktuar te gjykatësi Adnan Kamberi, gjykatës në Departamentin e Përgjithshëm, Divizioni Penal, mirëpo për shkak të largimit të tij jashtë vendit, lënda tashmë do të gjykohet nga gjykatësi Dibran Jusufi.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 maj 2023, kishte konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” se ka ngritur aktakuzë ndaj Gërvallës.
“Referuar kërkesës së parashtruar nga ana juaj, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, më 31.01.2023, ka ngritur aktakuzë ndaj D.G., për shkak të veprës penale ‘Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe të njëjtën e ka proceduar në Gjykatë për trajtim të mëtejmë”, kishte konfirmuar zëdhënësja e kësaj prokurorie, Laureta Ulaj./betimiperdrejtesi.















