Në përmbyllje të vizitës zyrtare në Republikën e Senegalit, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, është pritur në një takim dypalësh nga ministri i Jashtëm i Senegalit, Ismaïla Madior Fall.

Ministrja Gërvalla falënderoi homologun e saj për mikpritjen e ngrohtë dhe mbështetjen e ofruar nga Republika e Senegalit për Republikën e Kosovës.

Të dy ministrat vlerësuan nivelin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve, përderisa shprehën përkushtimin dhe vullnetin e dyanshëm për zgjerimin e këtij bashkëpunimi ndërshtetëror në fushat e interesit reciprok.

Me qëllimin e konkretizimit të këtij bashkëpunimi në fusha specifike dhe programe të veçanta, ministrja Gërvalla dhe ministri Madior FALL u dakorduan për caktimin e datës për konsultimet politike në mes të dyja vendeve.

Në fund të takimit, ministrja Gërvalla ftoi ministrin Madior Fall për vizitë në Republikën e Kosovës, propozim ky që u mirëprit nga homologu i saj.