Ministrja Hajdari thotë se nuk ndihet fajtore për aksidentin ku u godit një fëmijë

Ministrja e Industrisë, Ndërrmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, më 10 prill ka goditur një fëmijë me makinë në lagjen “Arbëria” në Prishtinë, dhe në lidhje me këtë ajo ka deklaruar se nuk ndihet fajtore

Ministrja e Tregtisë, Ndërmarrësisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari





Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, është deklaruar se nuk e ndien veten fajtore për aksidentin e ndodhur më 10 prill të vitit 2022, ku u godit e mitura I.B.

“Derisa unë kam qenë me vëmendje të lartë në shpejtësi për shkak se e vozis motrën me nevoja të veçanta, e cila është shumë e ndjeshme dhe derisa kam qenë brenda rregullave të komunikacionit, përkundër keqardhjes, ndjeshmërisë për vajzën, nuk ndihem fajtore për këtë rast” ka deklaruar ministrja Hajdari.

Ajo ka thënë se më 10 prill kishte qenë duke u kthyer nga parku me motrën me nevoja të veçanta dhe se ajo ditë kishte qenë e vranët, ashtu që sipas saj duke kaluar nga marketi “Meridian”, në lagjen ku banon, kishte vërejtur dy fëmijë në vrapim duke dalë nga marketi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Hajdari ka thënë se ajo kishte qenë në shpejtësinë brenda rregullave të komunikacionit.

“Kam qenë në shpejtësi sipas rregullave të komunikacionit në lagjen ku banoj. Jam munduar të shmangem, për fatin e mirë që isha në shpejtësi brenda rregullave të komunikacionit jam shmangur në anën tjetër të rrugës dhe papritmas një nga dy fëmijët që ishin në vrapim, vajza ndeshet, përplaset në krillën e veturës sime të pjesës së përparme të anës së djathtë”, ka shtuar ajo.

Po ashtu, ministrja Hajdari ka thënë se i vjen keq për shqetësimin që vajza ka përjetuar, ashtu sikur edhe për veten e saj, duke shtuar edhe vet se e kishte përjetuar shumë rëndë.

“Ishte një moment shumë i rëndë për mua, kam dalë nga vetura duke lënë motrën time vetëm dhe duke vrapuar pas vajzës e cila është kthyer në “Meridian” market, ku nga aty kishte dalë me vrapim”, ka thënë ajo.

Tutje, sqaroi se ishte njoftuar me nënën e vajzës për ta njoftuar për aksidentin e ndodhur dhe kishte thirrur policinë dhe emergjencën, e që më pas kishte përfunduar në polici me deklaratë.

Ajo ka shtuar se lidhur me këtë rast, është ndier e keqtrajtuar nga mediet si dhe e vlerësoi konkludimin e policëve si joprofesional.

“Kërkoj ekspertizë, sepse interpretimi ka qenë i policisë pa vëmendjen e tyre dhe i dëmshëm pa asnjë matje, të cilët kanë kërkuar nga unë t’ju tregoj pikat e ndeshjes pa bërë asnjë matje ekspertize, unë në atë moment e shokuar nuk kam mundur t’iu jap ekspertizë dhe kjo është konkludimi i policëve tanë në mënyrë joprofesionale”, është shprehur ministrja Hajdari.

Ndërsa, përfaqësuesi i saj, avokati Shemdi Bunjaku ka deklaruar se lidhur me mospërshtatjen e shpejtësisë në shkresat e lëndës të cilat i posedojnë, nuk kanë ndonjë shkresë e cila me saktësi e vërteton se e mbrojtura e tij nuk iu ka përshtatur kushteve dhe rregullave të komunikacionit.

Andaj, i njëjti ka propozuar që të caktohet ekspertizë e komunikacionit, me të cilët do të konstatohet nëse aksidenti në komunikacion është shkaktuar si pasojë e veprimeve apo mosveprimit të ministres Hajdari apo në rrethanat të tjera jashtë ndikimit të të mbrojturës së tij.

Në anën tjetër, edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Florim Shefqeti ka kërkuar nxjerrjen e ekspertizës së komunikacionit, si dhe propozoi që të bëhet edhe dëgjimi i përfaqësueses së të dëmtuarës dhe dëgjimi i doktorit Musa Gashi, për të sqaruar konstatimet e tij në ekspertizë mjeko-ligjore.

I njëjti propozoi që në cilësi të dëshmitarëve të dëgjohen zyrtari policor Naim Sadiku dhe personi që kishte qenë prezent tek hyrja e marketit “Meridian”, Labinot Yberdemaj si dhe gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor të bëhet edhe shikimi i videos nga kamerat e këtij marketi.

Po ashtu, avokati Shefqeti kërkoi që t’iu sigurohet faqja e 2-të e procesverbalit të deklaratës së dhënë nga përfaqësuesja e të dëmtuarës.

Ndërkaq, ai ka thënë se lidhur me cilësimin juridik, rezervojnë të drejtën e deklarimit pas pranimit të ekspertizës dhe administrimit të provave të administruara.

Propozimin për dëgjimin e zyrtarit Sadiku në cilësi të dëshmitarit, e ka kundërshtuar avokati Bunjaku, i cili ka thënë se ai nuk kishte qenë i pranishëm në momentin kritik në vendin e ngjarjes dhe se nuk e sheh të nevojshme dhe që i ndihmon kësaj çështjeje.

Në këto rrethana, gjykatësja e rastit Valbonë Gjonbalaj aprovoi propozimin e palëve në procedurë për caktimin e ekspertizës së komunikacionit, duke e caktuar për ekspert Bajram Latifin.

“Gjykata, me urdhëresë do ta obligojë për përpilimin e ekspertizës së komunikacionit të aksidentit rrugor, i cili do të detyrohet në afat prej 15 ditësh, gjykatës në kopje të mjaftueshme për palën dhe gjykatën të sjell ekspertizën”, ka thënë gjykatësja Gjonbalaj.

E njëjta aprovoi propozimin e avokatit Shefqeti për dëgjimin e ekspertit mjeko-ligjor Dr. Musa Gashi për sqarimin rreth mendimit të dhënë mbi natyrën e lëndimeve të palës së dëmtuar.

Ndërsa, lidhur me propozimin për dëgjimin e Sadikut dhe Yberdemajt, gjykatësja ka thënë se do të vendoset në seancën e radhës.

Kurse, lidhur me sigurimin e faqes së procesverbalit të kërkuar nga pala e dëmtuar, e njëjta tha se ka mundur të ishte gabim teknik, andaj i njëjti do iu sigurohet në tërësi me përfundimin e seancës.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar më 4 nëntor 2022, raporton Betimi për Drejtësi.





Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika