“Miqësi e ndërsjellë prej çeliku” – mesazhi që dhanë Xi dhe Vuçiq në Beograd

“Ne do të punojmë së bashku me Serbinë për t’i mbrojtur interesat tona themelore dhe afatgjate”, tha Xi gjatë takimit të të dyja delegacioneve

“Miqësi e ndërsjellë prej çeliku” mes Kinës dhe Serbisë.

Ky ishte mesazhi kryesor që presidentët e dy vendeve, Xi Jinping dhe Aleksandër Vuçiq, dhanë në Beograd, më 8 maj.

Dy vendet do ta ngrenë bashkëpunimin e tyre “nga niveli i partneritetit strategjik në nivelin e një të ardhmeje të përbashkët”, thanë ata.

Vuçiqi dhe Xi Jinping kanë nënshkruar deklaratë të përbashkët, “që do të thotë se Serbia dhe Kina po kalojnë nga marrëdhëniet strategjike në bashkëpunimin më cilësor – një komunitet që flet për të ardhmen e përbashkët të dy vendeve tona”.

“Ne do të punojmë së bashku me Serbinë për t’i mbrojtur interesat tona themelore dhe afatgjate”, tha Xi gjatë takimit të të dyja delegacioneve.

“Miqësia prej çeliku e dy vendeve tona vetëm se është forcuar edhe në këtë dinamikë ndërkombëtare”, shtoi ai.

Xi arriti në Beograd mbrëmjen e 7 majit dhe, përveç takimit me Vuçiqin, ai do të dëshmojë edhe nënshkrimin e më shumë se 30 marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe të kontratave tregtare.

Para Pallatit të Serbisë, atë e pritën mijëra qytetarë, që valëvitnin flamuj kinezë dhe serbë dhe brohorisnin “Serbia dhe Kina”.

Vuçiq i falënderoi ata që, siç tha, erdhën për të përshëndetur “mikun e çeliktë të Serbisë”.

Ai tha se Kina ka qenë me Serbinë “në momentet më të vështira” të saj.

“Ashtu siç i kemi ne qëndrimet e qarta për çështjen e integritetit të Kinës, se Tajvani është Kinë, ashtu edhe ata e mbështesin territorin e Serbisë, pa asnjë rezervë”, tha Vuçiq, raporton REL.

Kina mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare.

Serbia, në anën tjetër, e mbështet “politikën e një Kine”, sipas së cilës, ishulli i Tajvanit, i cili e konsideron veten shtet sovran, është pjesë e territorit kinez.

Vuçiq tha se marrëveshja e partneritetit strategjik me Kinën, nga viti 2016, kontribuoi ndjeshëm në përparimin ekonomik të Serbisë.

“Falë bashkëpunimit industrial dhe bashkëpunimit në zhvillimin e infrastrukturës, vendi ynë është ngritur dhe është rindërtuar”, tha ai.

Xi, në anën tjetër, tha se miqësia mes Serbisë dhe Kinës është “reciproke dhe e sinqertë”.

“Ka një ndjenjë të fortë miqësie mes dy vendeve tona – kjo më la një përshtypje jashtëzakonisht të thellë. Pritja që bëtë, tregon se marrëdhëniet tona janë në një nivel të lartë”, tha Xi.

Ai shtoi se gjatë vizitës së tij të parë në Serbi, para tetë vjetësh, ky vend u bë partneri i parë strategjik i Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore dhe se shfaqi shpresën që kjo vizitë “do të jetë po aq e frytshme”.

Për vizitën e presidentit kinez në Serbi janë marrë masa maksimale të sigurisë dhe janë angazhuar mbi 6.500 policë, tha ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiq.

Shija e redaktorit

Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës Muhamet Hyseni zyrtarizohet tek AC...

Të verdhit e rrezikshëm siç njihen në futbollin danez “AC Horsens” kanë arritur të bëjnë goditje të rëndësishme për afatin e ri kalimtar të...

Fermeri 74 vjeçar i shtëpisë së të moshuarve e funksionalizon...

Domate, speca, tranguj, kunguj e plot lloje të tjera perimesh janë të gjeturat e stinës në këtë serrë, mu në zemër të kryeqytetit. Ajo gjendet...

Shefja e katalunasve në Parlamentin e Spanjës: S’do të ndalemi...

Partia katalunase “Junts per Catalunya” kanë marrë një iniciativë në Parlamentin e Spanjës për t’i kërkuar Qeverisë së Spanjës njohjen e pavarësisë së Kosovës...

Të fundit nga rubrika