Dhanë apo s’dhanë dorëheqje nuk dihet ende.
Por ministrat e qeverisë në detyrë mbrëmë, në një mbledhje elektronike votuan pro 24 pikave që i kishin në rend dite.
Pjesa dërmuese e tyre, ishin vendime për emërimin e komisioneve të pranimit për kategori të larta drejtuese, në institucione të rëndësishme nga Agjencia e Prokurimit e deri tek miratimi i komisionit për emërimin e drejtorit në Agjencinë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.
Por, në sytë e organizatave të shoqërisë civile, vendimet e kësaj mbledhje, janë shkelje e ligjeve e kushtetutës.
“të gjitha vendimet që i ka marrur mbrëmë qeveria në detyrë janë vendime të kundërligjshme dhe në vet kundërshtim edhe me Kushtetutën e Kosovës. Duhet ta keni parasysh që neni 72 i Kushtetutës dhe aktvendimi i Gjykatës Supreme e kanë përcaktuar se nuk mund të jesh edhe deputet edhe ministër”, ka thwnw Liridon Salihi nga GLPS.
Salihi tha se kujtdo që i prekën interesat me këto vendime mund t’i drejtohen institucioneve të drejtësisë.
Që vendime të tilla janë të kundërligjshme e kanë thënë edhe nga Instituti i Kosovës për Drejtësi të cilët kanë theksuar se vendimet janë marrë pa autoritet ligjor.
“Përmes këtyre vendimeve, Qeveria në detyrë lë dyshimin se po tenton të ndikojë në përzgjedhjen e drejtuesve të Thesarit të Kosovës, Agjencisë Qendrore të Prokurimit, Agjencisë për Siguri Kibernetike, Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar, si dhe të një vargu institucionesh të tjera të rëndësishme. Këto nuk janë vende pune të zakonshme, por pozita nga të cilat administrohen financat publike, prokurimi, siguria, drejtësia dhe pasuria shtetërore. Kapja e procedurave sot mund të prodhojë kontroll institucional për vite të tëra.”
Ndërkohë, nga e premtja e kaluar, Zyra e Kryeministrit të Kosovës nuk ka kthyer përgjigje nëse ministrat në detyrë kanë dhënë dorëheqje para betimit si deputet.