Miratohet Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme i cili u kundërshtua nga shoqëria civile
Me konsensus të partive politike të pozitës dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës, e ka miratuar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës. 79 deputetë kanë votuar pro, tre kundër kurse abstenim nuk ka pasur. Pas miratimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se në ligjin e ri janë marrë parasysh rekomandimet e BE-së […]
Me konsensus të partive politike të pozitës dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës, e ka miratuar Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës.
79 deputetë kanë votuar pro, tre kundër kurse abstenim nuk ka pasur.
Pas miratimit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi tha se në ligjin e ri janë marrë parasysh rekomandimet e BE-së dhe të organizatave civile.
“Në Ligjin e ri janë adresuar rekomandimet e misioneve vëzhguese të BE-së, të KQZ-së dhe të organizatave të shoqërisë civile. Ndërkaq, një falënderim i posaçëm për ndihmën dhe mbështetjen e këtij procesi shkon edhe për partnerët ndërkombëtarë, Bashkimin Evropian, SHBA-në, Mbretërinë e Bashkuar, OSBE-në, etj”, ka thënë ai.
Por, për këtë Ligj ka pasur vërejtje, organizata joqeveritare KDI. Eugen Cakolli nga kjo organizatë ka thënë se “Miratimi i projektligjit për zgjedhje – ndër ligjet më kryesore pas Kushtetutës – në procedurë të përshpejtuar, është sa i gabuar, aq edhe i paarsyeshëm. Më shumë se konsensusal mbi avancimin e proceseve zgjedhore, ky është projektligj i kompromiseve të partive politike”.
Ai tha se partitë janë bërë bashkë në dëm të integritetit zgjedhor.
“Dikush integritetin e kandidatëve, dikush votën preferenciale, dikush numërimin e votave të kandidatëve, dikush pavarësinë e KQZ-së e dikush ndarjen e mandateve. Të gjitha bashkë, në dëm të integritetit zgjedhor”, ka thënë ai.















