Misteri i eshtrave të Mulla Idriz Gjilanit dhe trashëgimia që pret përgjigje
Një histori që mbart hije misterioze, eshtrat e Mulla Idriz Gjilanit – një figurë e shquar e historisë së Kosovës dhe kombit shqiptar – vazhdojnë të jenë një lloj shprese të pafund për familjen e tij. Edhe pse janë bërë shumë përpjekje për gjetjen e tyre, sfidat dhe polemikat janë thelluar, duke lënë të hapur […]
Një histori që mbart hije misterioze, eshtrat e Mulla Idriz Gjilanit – një figurë e shquar e historisë së Kosovës dhe kombit shqiptar – vazhdojnë të jenë një lloj shprese të pafund për familjen e tij. Edhe pse janë bërë shumë përpjekje për gjetjen e tyre, sfidat dhe polemikat janë thelluar, duke lënë të hapur pyetjen: ku ndodhen realisht eshtrat e tij?
Një tjetër “sekret i errët” që për shumë dekada kishte mbetur në pikëpyetje ka të bëjë edhe me mënyrën se si ishte vrarë Mulla Idriz Gjilani. Djali i tij, Isa Mullaidrizi, ka treguar ekskluzivisht në një intervistë të rrallë për portalin Dukagjini, detaje nga kjo ngjarje tragjike. Ai ka treguar se Mulla Idrizi është vrarë nga forcat pushtuese serbosllave, në një akt barbar që sipas tij, nuk la asnjë dyshim se ishte një ndër tentimet për të shuar zërin e rezistencës shqiptare.
Isa Mullaidrizi rrëfen me dhimbje se babai i tij ishte kthyer pas takimit historik me Shefqet Peçin, në atë kohë komandantin më të lartë të Ushtrisë Partizane të Shqipërisë. Pas ndarjes me Peçin, gjurmët e Mulla Idriz Gjilanit u “humbën” nga pushtuesit e atëhershëm serbosllav.
“Mulla Idriz Gjilani u ndalua dhe u vu në burgun e Gjilanit, ku u torturua dhe u burgos për dy ditë. Në natën e 25 ose 26 nëntorit të vitit 1949, Mulla Idrizi u martirizua në mënyrë të tmerrshme, e lyen me benzine (apo vajguri) dhe e kanë djegur për së gjalli pushtuesit serbosllav”, është shprehur ai.

Eshtrat e Mulla Idriz Gjilanit: Enigma e një figure historike shqiptare
Ai ka treguar se në vitin 2011, mediat raportuan se eshtrat ishin gjetur në fshatin Stanishor. Por procedurat dhe vlerësimet e institucioneve përkatëse kanë shkaktuar një mosmarrëveshje në lidhje me përputhjen e tyre me trupin e Mulla Idriz Gjilanit.
Duke shfaqur shqetësim për këtë situatë, familja Mullaidrizi ka kërkuar sqarime më të hollësishme rreth rastit, por është përballur me veshë të shurdhër. Institucionet, duke përfshirë Forenzikën Mjekësore, Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe Prokurorinë, kanë ndjekur procedura të gjata dhe kanë dhënë deklarata kontradiktore rreth përputhjes së eshtrave me trupin e Mulla Idrizit.
“Në vitin 2011 jemi njoftuar nga mediat se eshtrat e tij janë gjetur në fshatin Stanishor, të cilat së pari i ka marrë EULEX-i, pastaj Mjekësia Ligjore, të cilat kanë qëndruar për një kohë të gjatë në Forenzikën e Kosovës, më vonë është njoftuar se raporti bashkë me mbetjet mortore janë kthyer në Gjykatën Themelore të Gjilanit e pastaj ne Prokurori”, ka treguar ai.
“Me institucionet përkatëse, ne si familje nuk jemi fare të kënaqur. Disa prej tyre, si Forenzika Mjekësore ka lajmëruar se eshtrat po përputhen me ADN që të jenë të Mulla Idrizit, por pastaj procedurat e tjera të institucioneve dhe gjykatës e prokurorisë kanë zgjatur pa nevojë, dhe në fund na kanë thënë se jo ato nuk përputhen me trupin e Mulla Idrizit, pra ndryshe prej lajmërimit të Forenzikës nëpër media. Kemi kërkuar sqarime më të thella rreth rastit, por kemi hasur në veshë të shurdhur”, ka thënë tutje Mulla Idrizi.
Lindur në Velekincë të Gjilanit më 4 qershor 1901, Mulla Idrizi ka qenë aktiv në luftën për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë etnike nga pushtuesit jugosllavë. Ai ka qenë komandant i forcave vullnetare në Kosovën Lindore dhe ka luftuar kundër ushtrisë sllavo-komuniste. Gjatë gjithë jetës së tij, Mulla Idrizi është angazhuar për përhapjen e dijes ndër shqiptarë dhe ka luftuar për të ruajtur identitetin dhe kulturën shqiptare.
Trashëgimia e Mulla Idriz Gjilanit për brezat e ardhshëm siç ka thënë ai është e rëndësishme për të ruajtur identitetin kombëtar shqiptar dhe për të inkurajuar ndërgjegjësimin e popullit për veprën dhe kontributin e tij në historinë e Kosovës dhe kombit shqiptar.

Ky angazhim i familjes Mullaidrizi për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë së Mulla Idriz Gjilanit vjen në përfundim me vullnetin dhe përkushtimin e tyre për të mbledhur dhe ruajtur materialet e rëndësishme lidhur me jetën dhe veprën e tij.
Ata tashmë kanë krijuar një dhomë të veçantë në shtëpi për të sistemuar dhe ruajtur të gjitha këto materiale, duke treguar një kujdes të veçantë ndaj trashëgimisë së babait të tyre.
Megjithatë, sfidat janë prezente në promovimin e trashëgimisë së Mulla Idriz Gjilanit. Një nga sfidat kryesore sipas Isa Mullaidrizit është kufizimi financiar.
Një sfidë tjetër që ka përmendur ai është edhe përhapja e kufizuar e veprave dhe ideologjisë së Mulla Idriz Gjilanit.
“Disa nga sfidat e promovimit të trashëgimisë të tij, përfshijnë kufizimet financiare, dhe përhapja e pakët e veprave dhe ideologjisë së tij nëpërmjet mediave dhe institucioneve. Të cilat besoj kanë punuar pak, për të treguar edhe historitë dhe mundin e shqiptarëve për liri para luftës së fundit”, ka thënë ai.
“Dhoma Muze” e Mulla Idriz Gjilanit: Një udhëtim i shkurt nëpër historinë dhe trashëgimin e gjerë
“Dhoma Muze” e Mulla Idriz Gjilanit është vendi ku ruhen dokumente dhe objekte të rëndësishme që janë të lidhura me jetën dhe veprën e tij.
Në këtë dhomë, mund të gjenden shumë dokumente arkivore që kanë të bëjnë me gjykimin, burgosjen dhe mësimet e tij. Ka edhe libra të shumtë që janë shkruar për biografinë e tij, përfshirë “Mulla Idriz Gjilani dhe mbrojtja Kombëtare e Kosovës Lindore” nga Muhamed Pirraku, si dhe libra të tjerë nga personalitete ndërkombëtare që kanë trajtuar historinë dhe veprimtarinë e tij.
Ndër librat e veçantë që përmenden nga Isa Mullaidrizi janë “100 Personalitete Islame botërore” dhe një vëllim me 120 poezi të shkruara për të.
Përveç dokumenteve, “Dhoma Muze” mban edhe disa objekte që kanë qenë në pronësi të Mulla Idriz Gjilanit. Megjithëse gjësendet e ruajtura siç ka bërë të ditur djali i tij janë të pakta për shkak të konfiskimeve dhe dhunës që ka pësuar familja, disa prej tyre janë shumë të rëndësishme. Në këtë koleksion përfshihen ora e xhepit, tespitë dhe një Kur’an i dëmtuar.

Isa Mullaidrizi ka treguar gjithashtu se figura e babait të tij ka pasur një ndikim të madh në jetën e tij personalisht.
Nëpërmjet historisë së Mulla Idriz Gjilanit, Isa Mullaidrizi ka identifikuar disa vlera dhe mesazhe thelbësore që duhet të ruajmë dhe t’i transmetojmë brezave të ardhshëm. Një nga këto vlera është dëshira për arsim dhe edukim, veçanërisht në gjuhën shqipe.
Një tjetër mësim i rëndësishëm që Mulla Idriz Gjilani ka lënë si trashëgimi është ngritja e vetëdijes kombëtare. Ai e kuptoi se bashkimi dhe bashkëpunimi i shqiptarëve ishin thelbësore për të arritur qëllimet e përbashkëta.
Ky mesazh, sipas tij, është aktual edhe sot, ku shqiptarët duhet të ruajnë vetëdijen kombëtare dhe të punojnë së bashku për të përmbushur interesat dhe synimet e tyre si një komb i bashkuar.
Një tjetër vlerë që ai e ka theksuar është respekti për diversitetin fetar dhe kulturor. Mulla Idriz Gilani siç ka thënë djali i tij, ishte një lider fetar i njohur për aftësinë e tij për të bashkëpunuar dhe respektuar besimet e tjera.
Trashëgimia e tij, sipas Isa Mullaidrizit na mëson të vlerësojmë diversitetin dhe të ndërtojmë marrëdhënie të mira mes feve të ndryshme.
“Ai e kuptoi rëndësinë e bashkimit dhe bashkëpunimit të shqiptarëve për të arritur qëllimet e përbashkëta. Dhe tani kohëve të fundit, shihet se është e rëndësishme të ruajmë dhe të forcojmë vetëdijen kombëtare dhe të punojmë për interesin e përbashkët të popullit tonë”, ka thënë Isa Mullaidrizi.
Mulla Idriz Gjilani njihej edhe si bamirës kundrejt kombit shqiptarë, i cili për të forcuar besimin e bashkëqytetarëve se duhet të qëndrojnë aty ku kanë lindur, me rrogën e tij ndërtonte rrugë, ura, kroje, xhami dhe mejtepe, për nevoja të popullit.
Nga viti 1941, Mulla Idriz Gjilani iu përkushtua plotësisht veprimtarisë politike.
Në shtator të vitit 1943, Komiteti i Lidhjes së dytë të Prizrenit e cakton atë komandant të ushtrisë vullnetare për mbrojtjen e kufirit në anën lindore të Kosovës.
Ai luftoi si komandant me rreth 3000-3500 vullnetarë, kundër njësiteve të ushtrisë sllavo-komuniste në Velegllavë, Kikë, Bujanoc dhe Preshevë. Ai i qëndroi besnik idealeve kombëtare deri në vdekje, ku mbeti udhëheqës i lëvizjes për çlirim e bashkim kombëtar.
Siç e ka përshkruar djali i tij, Mulla Idriz Gjilani, gjithherë ishte frymëzues për secilin, për tërësinë territoriale të Shqipërisë Etnike, ku edhe thoshte se: “Vetëm të bashkuar rreth flamurit të Shqipërisë të gjithë dhe pa tarafe e partina, mund t’u bëjmë ballë armiqve shekullor”.















