Simbolet komunale që i miratoi më 2024 – dhe i vendosi përkrah atyre shtetërore – Mitrovica e Veriut dëshiron që të mos largohen.


Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut synon që nëpërmjet një rregulloreje të mbrojë simbolet shtetërore e institucionale, edhe pas ndërrimit eventual të pushtetit.

Edhe pse nuk u deklarua para kamerës, pa dhënë detaje, punën për këtë akt nënligjor e konfirmoi kryesuesi Nexhat Ugljanin.

Njësoj edhe asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Aida Ferati-Doli, e cila po ashtu nuk dha hollësi.

Sidoqoftë, propozimi ende nuk u është paraqitur zyrtarisht përfaqësuesve në asamble.

Pasi tha se Kuvendi Komunal veçse i ka miratuar simbolet në pajtim me legjislacionin në fuqi, asamblisti Betim Osmani theksoi se asnjë pushtet i ri, pavarësisht përkatësisë etnike, nuk ka arsye të bëjë ndryshime.

“Besoj që asnjë komunitet nuk është kundër këtyre shenjave ose simboleve që ne i kemi miratuar më 2024, siç është lumi por edhe shenja e minatorëve… Nuk jam në dijeni që është duke u përgatit diçka nga komuna, edhe pse kjo duhet të rregullohet nga qeveria qendrore dhe ministria e pushtetit lokal, ku nuk lejohet ose lejohet ndryshime në disa gjëra, por jo në thelb”, ka thënë Betim Osmani, Asamblist.

Megjithatë, në këtë kontekst, referuar përvojave nën qeverisjen e Listës Serbe, asamblisti Osmani theksoi rëndësinë e zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës.

“Në vende normale nuk do të diskutohej kjo. Por, kemi pasur shembuj të mëhershëm kur janë marr vendime radikale nga institucionet e Republikës së Kosovës, por të strukturave të Listës Serbe, ku kanë vendosë në shumicën e rasteve gjëra ose shenja fetare nëpër flamuj të komunave dhe të simboleve komunale”, ka thënë Betim Osmani, Asamblist.

Objekti i komunës së Mitrovicës së Veriut, nën qeverisjen e Listës Serbe nuk ka pasur të ekspozuar asnjë simbol shtetëror të Kosovës.

Flamujt dhe simbolet përcjellëse, në këtë komunë dhe të tjerat me shumicë serbe në veri, u vendosën për herë të parë nën qeverisjet e kryetarëve shqiptarë – të cilët fituan zgjedhjet jashtëzakonshme të 2023-tës, të bojkotuara nga serbët.