Kryetarë teknik, administativ, ligjor por jo legjitim, këto janë disa nga emërtimet nga palë të ndryshme për kryetarët e katër komunave veriore të Kosovës.

Nga Kryeministri madje është thënë se nuk janë kryetarë normalë, rrjedhimisht s’janë udhëheqës komunalë me U të madhe, por udhëheqës me u të vogël.

Me u ose pa u, cilido të jetë emri, për punën e tyre po vuajnë të gjitha komunat pa përjashtime.

Kjo rrugë në lagjen e boshnjakëve është në këtë gjendje qe disa vite, ndërsa në gjendje më mirë nuk janë as rrugët tjera brenda qytetit.

“Ndaq me k të vogël ndaq me K të madhe, kështu është katastrofë, në kuptimin e plotë të fjalës katastrofë edhe këto ditë kemi dëme edhe nga shiu”, ka thënë Skender Sadiku, Zv. Kryesuesi i Kuvendit në Mitrovicën e Veriut.

Serbë, shqiptarë, boshnjakë e turq, pa dallime etnike e fetare, adresë të vetme e kanë Komunën e Mitrovicë së Veriut.

“Me kërkesën e 41 banorëve tek pallati i ashtuquajtur kombet e bashkuara ku 90% janë të komunitetit serbë dhe kanë probleme me lift, dhe kanë kërkuar ndihmë, dhe do të ju ndihmojmë. Janë dy lagje ku një zotëri serbë, dhe një zonjë me përkatësi malazeze ka shembje të dheut”, shtoi ai.

Lista e problemeve është e gjatë por institucione që e ka për detyrë t’i zgjidhë këto probleme ende nuk e ka funksionale asnjë drejtori.

Madje Komuna e Mitrovicës së Veriut, sipas Kryesuesit të Kuvendit deri tani ka funksionuar si zyrë administrative.

“Ne e kemi sjellë vendimin që me u hapë Zyra për Komunitete dhe me pasë nënkryetarin për komuniteti prej jo-shumicës. E e kemi sjellë vendimin edhe e kemi dërgu në Ministrinë e Pushtetit Lokal, edhe po presim sepse ligjërisht është e obligueshme me funksionu si të gjitha komunat, sepse kryetari e ka paraqitë te Asociacioni i Komunave, por pa krijimin e Zyrës për Komunitete nuk do të votojmë, bashkimin në asociacion, sepse nuk dëshirojmë të funksionojmë si zyrë administrative por si zyra komunale”, ka thënë Nedzat Ugljanin, Kryesuesi i Kuvendit në Mitrovicë të Veriut.

Dëshira e Ugljaninit që ky objekt të funksionojë si komunë nuk dihet nëse do të realizohet. Jo pse nuk ka vullnet, por për shkak të kërkesave për zgjedhje të reja.

Kryetarët edhe mund të dëgjojnë thirrjet, por Ugljanin thotë se si asamble nuk do të kenë mirëkuptim për kërkesat për dorëheqje.

“Ne po funksionojmë sipas ligjshmërisë, edhe ne edhe kur e kemi marrë detyrën e kemi ditur se duhet të të përkujdesemi për shumicën jo-shumica, por ne sipas ligjshmërisë e kemi marrë detyrën. Ne nuk kemi punuar asgjë kundërligjshëm. Prej ndërmjetësuesve nuk e pranojmë. Pse?, sepse prej që e kemi marrë detyrën ata asnjë vizitë nuk e kanë bërë institucionalisht kësaj komune por i’u kanë bërë vizitë strukturave paralele. Unë thash ndërmjetësuesit, Bashkësia Evropiane”, shtoi ai.

Qëndrim jo fort ndryshe kanë edhe kryetari i Zubon Potokot dhe Zveçanit, të dy pjesëtarë të Partisë Demokratike të Kosovës. Të paktën kryetari Memli Krasniqi në Kuvend ka dekluar që nuk duhet të llogaritet në dorëheqjen e Izmir Zeqirit dhe Ilir Pecit.