MMPH ndalon qarkullimin e automjeteve mbi 15 ton për shkak të temperaturave të larta
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se për shkak të temperaturave ekstreme që po mbretërojnë në Kosovë, është marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 ton. Sipas Durmishit, ndalesa do të hyjë në fuqi nga nesër, 23 korrik, dhe do të zgjasë deri më 28 korrik. Automjetet e rënda […]
Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se për shkak të temperaturave ekstreme që po mbretërojnë në Kosovë, është marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 ton.
Sipas Durmishit, ndalesa do të hyjë në fuqi nga nesër, 23 korrik, dhe do të zgjasë deri më 28 korrik. Automjetet e rënda nuk do të lejohen të qarkullojnë në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale nga ora 11:00 deri në 17:00.
“Të dashur qytetarë, për shkak të temperaturave të larta që po mbretërojnë këto ditë, kemi marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të automjeteve me peshë mbi 15 T, në autoudhë, rrugë nacionale dhe rajonale,” ka shkruar Durmishi.
Ai ka theksuar se ky vendim është ndërmarrë për të mbrojtur infrastrukturën rrugore nga dëmtimet e mundshme që shkaktohen nga ngarkesat e rënda në periudha me temperaturë të lartë, por edhe për të garantuar siguri më të madhe për të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion.
Durmishi gjithashtu ka bërë të ditur se ky vendim mund të ndryshohet varësisht nga kushtet klimatike gjatë ditëve në vijim, duke paralajmëruar se institucionet janë duke përcjellë nga afër situatën meteorologjike.















