Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) ka bërë të ditur se do të vazhdojë aksionet për lirimin e pronave ujore të uzurpuara dhe rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, duke theksuar se mbrojtja e resurseve ujore mbetet një prej prioriteteve strategjike të saj.
Përmes një reagimi, ministria njoftoi se ka nisur trajtimin e menjëhershëm të kërkesave të institucioneve dhe ndërmarrjeve publike për lirimin e pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara në kundërshtim me ligjin.
“Për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, mbrojtja e resurseve ujore përbën një prioritet strategjik kombëtar, ndaj ruajtja e pronave ujore është vendosur në qendër të angazhimit tonë institucional.
Prandaj kemi nisur trajtimin e menjëhershëm të kërkesave nga institucionet dhe ndërmarrjet publike për lirimin e të gjitha pronave ujore të uzurpuara apo të tjetërsuara jashtligjshëm.
Ky përkushtim strategjik për mbrojtjen e ujërave po zbatohet me të njëjtin vendosmëri në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
Aksioni i fundit në zonën e Liqenit të Ujmanit, ku me asistimin e Inspektoratit të MMPH-së dhe Policisë së Kosovës u rrënuan 16 objekte të ndërtuara pa leje në pronat ujore nën administrimin e N.P. “Ibër-Lepenci”, është vetëm një nga hapat e këtij plani. Të gjitha palët e përfshira në këtë aksion ishin njoftuar paraprakisht në përputhje të plotë me procedurat ligjore.
Në kuadër të të njëjtit prioritet strategjik, po shqyrtohen me intensitet të lartë edhe kërkesat e tjera institucionale që lidhen me uzurpimet dhe ndërtimet pa leje sidomos rreth Liqenit të Batllavës dhe Liqenit të Badovcit, dy burime kyçe të furnizimit me ujë të pijshëm për qytetarët tanë.
Inspektorati i MMPH-së po vijon identifikimin e plotë të shkeljeve në këto zona dhe, sapo të përfundojë ky proces, do të ndërmerren masa të menjëhershme ligjore për rikthimin e këtyre hapësirave në funksion të interesit publik.
Njëkohësisht, Inspektorati po vazhdon monitorimin e rreptë të të gjitha zonave të mbrojtura dhe parqeve kombëtare. Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor mbetet e palëkundur në misionin e saj: përmes zbatimit të ligjit dhe bashkëpunimit ndërinstitucional, do të mbrojmë çdo resurs ujor dhe natyror të Republikës së Kosovës nga çdo formë e uzurpimit apo ndërtimit të paligjshëm”, thuhet në njofitm.