Modelet e Demokracisë

Modelet e Demokracisë e mendimtarit David Held ofron një histori evolutive të teorisë së demokracisë dhe shqyrton modele të ndryshme të demokracisë, duke propozuar modelin e tij të quajtur "autonomia demokratike" dhe "demokracia kozmopolitane"

Vepra “Modelet e demokracisë”e mendimtarit britanik David Held

Vepra Modelet e demokracisë e mendimtarit politik britanik, David Held, është një përmbledhje unike e historisë së zhvillimit të modeleve të demokracisë që nga Antika greke e deri më sot. Sipërmarrja për ta konceptualizuar demokracinë qendërzohet nëpërmjet zanafillës së saj, ajo është rruga për të gjurmuar në modelet kryesore klasike të demokracisë, si demokracia athinase, republikanizmi, demokracia liberale dhe ajo e drejtpërdrejtë. Gjithë këto modele të demokracisë skenohen në skanerin e Held, modele këto që tanimë janë të njohura si: demokracia pjesëmarrëse, pluraliste dhe delibrative.

Në këtë vepër Held shpërfaq një histori evolutive të teorisë së demokracisë, ku padyshim se vihet në pah dinamizmi i vetë demokracisë. ”Beteja” për formën dhe modelin më të përshtatshëm të demokracisë është zhvilluar në mes konceptit liberalit me theks në individualizmin dhe minimizimin e ndërhyrjes shtetërore dhe konceptit socialist apo marksist që përqendrohet në ndërtimin e shtetit social. Ndërsa modelet e tjera të dala më vonë, rezultojnë më tepër nga rishikimi i këtyre dy modeleve themelore, por në rrethana krejtësisht të reja.

Mendimi i Held-it është një kombinim i elementeve kryesore të liberalizmit dhe socialdemokracisë, duke krijuar një sistem politik, i cili gjen balancë në mes konceptit të lirisë, të artikuluar dhe afirmuar nga liberalistët dhe konceptit të barazisë, të afirmuar nga tradita e majtë socialiste (dhe socialdemokrate). Në këtë kombinim, Held parashtron tezën e tij e cila përkon me një model të ri të organizimit politik, të cilën e quan “autonomia demokratike”.2

Autonomia demokratike e tij e vë theksin pikërisht te krijimi i mundësive për realizimin e potencialeve për zhvillimin individual, për të krijuar të drejta dhe njëkohësisht edhe obligime të balancuara mes vete. Held duke mos u ndalur me kaq, promovon tutje modelin e tij demokratik, duke e propozuar atë edhe në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare, duke e emëruar atë si “demokracia kozmopolitane”3, ku padyshim se ky model është tejet kompleks dhe madje utopik për kohën tonë, për faktin se realizimi i tij do të ngërthente krijimin e mekanizmave dhe institucioneve të reja ndërkombëtare, me ç’rast do të ndodhte edhe reformimi i atyre ekzistuese.

Ky model padyshim se paraqet një paradigmë të re në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare.

Held në këtë vepër synon që të qartësojë se pse demokracia është aq e rëndësishme në marrëdhëniet njerëzore, pse është aq e kontestueshme dhe, me gjithë dobësitë e saj, mbetet forma më e mirë nga të gjitha sistemet e mundshme qeverisëse. Demokracia, sipas Held-it, nuk është një ilaç për të gjitha problemet njerëzore, por ajo ofron parimin më bindës të legjitimitetit – “miratimin e popullit”– si bazën e rendit politik.4

Nëse ka pasur ndonjëherë një epokë të demokracisë, është kjo e sotmja thotë Held. Sipas, tij, demokracia është standardi kryesor i legjitimitetit politik në epokën tonë.

Pra, demokracia sipas Held është “meta” narrativi i vetëm që mund të ndikojë ose t’i kufizojë “narrativat” e epokës bashkëkohore.

 

  1. Held David, Modelet e Demokracisë, Cuneus, edicioni III, Prishtinë, 2011, fq.11, 36, 71 dhe 122.
  2. Po aty, fq.xii.
  3. Po aty, fq.xii.
  4. Po aty, fq.xviii.

Shija e redaktorit

Raporti për lirinë e medias vlerësohet alarm për shoqërinë dhe...

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit vendi ynë shënoi rënie për 19 vende në indeksin e lirisë së medieve nga “Reporterët Pa Kufij”....

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Të fundit nga rubrika