Ish-përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi dhe ish-shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, raportohet se është arrestuar nga policia belge të martën, nën dyshimet për mashtrim të lidhur me financimin e një akademie për diplomatët e rinj.
Siç ka raportuar Euractiv, policia belge ka kryer bastisje në zyrat e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian (EEAS), si dhe në banesa private, në kuadër të një hetimi për keqpërdorim të fondeve të BE-së.
Një zëdhënës i Kolegjit të Evropës, ku Mogherini shërben si rektore që nga viti 2020, ka deklaruar se nuk ka informacion nëse ajo është arrestuar dhe ka refuzuar të komentojë më tej.
Mogherini ka udhëhequr shërbimin e jashtëm të BE-së në periudhën 2014–2019 dhe ka qenë drejtuese e Akademisë Evropiane të Diplomacisë që nga viti 2022.
Raportimet theksojnë se edhe një punonjës tjetër i Kolegjit të Evropës, nga departamenti i Edukimit, është ndaluar në kuadër të të njëjtit hetim.
Përveç tyre, është ndaluar edhe zyrtari i lartë i Komisionit Evropian, Stefano Sannino, i cili ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm në kohën kur Mogherini drejtonte shërbimin e jashtëm të BE-së.
Komisioni Evropian ka konfirmuar se policia ka qenë e pranishme në disa prej zyrave të tij gjatë ditës së martë, duke theksuar se ky është pjesë e një hetimi që lidhet me mandate të mëparshme. Nuk janë dhënë informacione të tjera shtesë.
