“Ajo çfarë do të mbetet si dëshmi e kësaj kohe dhe e kësaj qeverie është se Albini ia ka ndërruar mbiemrin vetes. Nga Kurti, Albini sot e ka mbiemrin Zajednica dhe është Albin Zajednica”.

Kështu ka deklaruar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, gjatë fjalimit të tij në protestën kundër Asociacionit.

Ai ka deklaruar se nuk është e rastësishme që marrëveshja e Ohrit u bë në villën e Titos.

“Refuzimi i marrëveshjes së ripërcaktimit të kufijve, duke etiketuar Shtëpinë e Bardhë dhe duke përjashtuar Luginën e Preshevës, e në anën tjetër duke e pranuar Zajednicën në vilën e Titos, nuk është e rastësishme, sepse kur e refuzoi ripërcaktimin e kufijve, automatikisht e refuzon bashkimin, ndërsa kur e afirmon ‘Zajednicën’, s’ka se si përveç se ta afirmosh nostalgjinë ndaj Titos”, ka deklaruar ai.

Protesta u mbyll me tym të zi në shenjë simbolike të besimit se Qeveria Kurti ia ka zymtuar perspektivën Kosovës. Ajo u përcoll edhe me ndërrimin e flamujve të Qeverisë me flamuj të bardhë, për të cilët Molliqaj tha se simbolizonin dorëzimin e Kurtit.

Bashkimi Evropian e ka quajtur si shumë të suksesshëm takimin e 18 marsit në Ohër, në mes të kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq.

BE-ja ka thënë se palët janë pajtuar për zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, të mbështetur nga BE-ja.