Kryetari i Partia Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, pasi ushtroi të drejtën e tij të votës, u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk kanë votuar të dalin në qendrat e votimit dhe të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Molliqaj e ka cilësuar jetike daljen sa më të madhe të qytetarëve në votime, duke theksuar se pjesëmarrja e lartë është garanci për demokracinë.
“Fluksi i qytetarëve që po votojnë edhe nga të dhënat e KQZ-së tregojnë pjesëmarrje relativisht të kënaqshme të qytetarëve të Kosovës. Besoj se është jetike që pas debateve e fushatës që ka ndodhë, sa më shumë njerëz të shkojnë te kutitë e votimit”, ka thënë ai.
Ai shtoi se sa më i madh numri i votuesve, aq më e fortë është demokracia dhe legjitimiteti i proceseve politike.
“Sa më i madh numri i qytetarëve në kutinë e votimit, aq më e madhe garancia për demokraci, e ne besojmë se demokracia është çelësi i organizimit shoqëror e politik në çdo vend”, u shpreh Molliqaj para mediave.
Ndryshe, Qytetarët e Kosovës po votojnë këtë të diel në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Këto zgjedhje po mbahen pasi Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë. Për qytetarët, kjo është hera e tretë brenda më pak se një viti e gjysmë që u drejtohen kutive të votimit për zgjedhje parlamentare.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të shtunën shpërndarjen e materialit zgjedhor në të gjitha komunat e vendit. Procesi është zhvilluar nën masa të shtuara sigurie, ndërsa materialet janë dërguar fillimisht nga qendra logjistike në Fushë-Kosovë drejt 38 komunave.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se janë shpërndarë fletëvotimet dhe materialet e tjera të ndjeshme zgjedhore, përfshirë listat përfundimtare të votuesve dhe vulat.
Për këto zgjedhje janë shtypur gjithsej 1 milion e 778 mijë e 300 fletëvotime. Prej tyre, 1 milion e 605 mijë janë për votim të rregullt, 19 mijë e 450 për votim me kusht, 13 mijë e 500 janë fletëvotime rezervë, ndërsa 3 mijë e 500 janë destinuar për personat me nevoja të veçanta.
Në mbarë Kosovën janë hapur 949 qendra votimi me gjithsej 2.550 vendvotime, ku qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e rinj në Kuvendin e Kosovës.