Molliqaj: Kurti sillet rreth Asociacionit, ai është qendra dhe thelbi i tij
Prapa tensioneve në veri të Kosovës, sipas kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, qëndron çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Molliqaj tha se kryeministri “Kurti sillet rreth Asociacionit. Asociacioni është qendra dhe thelbi i tij”. “Kjo është analiza e jonë, jo informatë prej ndokujt. Edhe kësaj here kështu ndodhi, e zbuloi Escobar. Drafti paska […]
Prapa tensioneve në veri të Kosovës, sipas kryetarit të PSD-së, Dardan Molliqaj, qëndron çështja e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Molliqaj tha se kryeministri “Kurti sillet rreth Asociacionit. Asociacioni është qendra dhe thelbi i tij”.
“Kjo është analiza e jonë, jo informatë prej ndokujt. Edhe kësaj here kështu ndodhi, e zbuloi Escobar. Drafti paska qenë qysh moti në tavolinën e Kurtit. Escobar tregoi se Kurti e paska, por nuk po e publikon draft-statutin. Publiku pra, kjo është çështje. Si t’ia bëjmë një veshje heroike fundit të një procesi që e vulos zvetënimin e krejt çfarë ishte dhe përfaqësonte?”, ka thënë ai.
Sipas Molliqaj, Asociacioni që e ka në dorë Kurti përmban autonomi.
“Kompetencat e autonomisë shkruhen në statut, kostoja politike imunizohet me polici. Asociacionit kompetencat e forta, kryeministrit figurën e fortë të policit. Të gjithë janë të kënaqur”, ka thënë ai.
Në fund, Molliqaj ritheksoi se çështja kryesore e të gjithë veprimeve në veri është Asociacioni.
“Procesi i dialogut po shkon drejt fundit. Jemi përpara tërheqjes së madhe. Nuk po flasim për policinë, as për objektet ku do të punojnë kryetarët. Asociacioni është çështja”, ka thënë ai.















