Momente të frikshme për një orë, rrëfimet e të prekurve nga vërshimet

Mëngjesi i së dielës nuk ishte i lehte aspak si për familjen Ademaj që humbën dy familjarë, po ashtu as për familje tjera të cilat janë të prekura nga vërshimet e një nate më parë. Rruga në lagjet e qendrës së Pejës, tashmë janë shndërruar në gërmadha të frikshme edhe për t’i parë. Kronika në vazhdim na sjell rrëfimet e pronarëve të shtëpive të përmbytura dhe rrëfimin e kryefamiljarit, Milaim Ademaj i cili ka arritur të shpëtoj njërin prej nipave të tij, i cili është vetëm 2 vjeçar

Kur shpëtojnë njerëzit vajtohet “malli”, pas fatkeqësive kjo porosi përjetohet si thënie profetike.

Banorët e lagjes “Asllan Qeshme” në Pejë, mbrëmë e panë vdekjen me sy. Meqenëse shpëtuan të gjallë mbrëmjen e së shtunës, të dielën po shohin tmerrin që la, shiu i rrëmbyeshëm e furia e vërshimit të ujit.

Makina të përmbysura, mure të rrafshuara, shtëpi të përmbytura e rrugë të pakalueshme. Fatin e përbashkët me ta e ndanë edhe familja Ademaj, veçse ata nuk po merren me dëmet materiale por kanë hapur derën për ngushëllime.

Dioni 5 vjeç, njëri nga tre fëmijët që i rritën në këtë djep nuk arriti t’i mbijetojë tragjedisë.

“Nipin uji dhe rryma e fuqishme e ka sjellë rreth shtëpisë edhe e ka dërguar tek shtëpia e kojshisë në oborr, aty në para hyrje. Pas një ore e gjysmë e kemi gjetur nipin pa shpirt. Jemi mundu me i dhanë ndihmë. Nipin e kemi gjetë në një shtëpi pak më poshtë se e jona”, ka rrëfyer Milaim Ademaj, Kryefamiljar.

Edhe nënën e Dionit, Mirsaden, presioni i ujit e hodhi jashtë sallonit të shtëpisë, as ajo nuk doli e gjallë.

“Unë me burrë të saj me djalin tim e kemi kapur për dore me e mbajtë po nuk kishe fuqi me e mbajtë, qaq shumë ka qenë uji i shpejtë edhe ajo u lëshu, prap djali ka kërcy pas saj e ka nxjerr tek ulluki (kulluesi) i shtëpisë u kap po nuk kish fuqi me u mbajtë”, ka rrëfyer momentin e tragjedisë, Milaim Ademaj, Kryefamiljar.

Pas disa orësh trupi i Mirsades u gjetë në bodrumin e kësaj shtëpije pak metra larg vendit ku i lindi e po i rriste tre fëmijë.

Milaimi humbi nipin dhe rejën, ndërsa mbesën tregon se e gjeti gjysëm të vdekur nën shkallët e shtëpisë.

“Rastësisht e kam prekur me këmbë, mu ka dokë butë diçka se as vet nuk e kam ditur se çka ka. Kur kam hyrë në ujë e kam kapur për pixhame edhe e kam mbajtë lartë, aq shumë ujë ka pasur, kur ka fillu me qajtë e kam dërgu në ballkon”, ka treguar i emocionuar Milaim Ademajt, Kryefamiljar.

Në gjithë këtë fatkeqësi, fatin e mirë të mbesës së Miliamilit e kishte edhe vazja e fqinjës së tyre, Fatmire Berlajollit.

“Çka me vepruar nuk dijshim se çka, mundoheshim me e hapë derën, po nuk kishke shancë, vajza e rrezikoi jetën dy herë erdhi deri këtu me e hapë derën edhe nuk pati shanca, nuk mujtëm. Lart kemi qëndru në ballkon”, ka thënë Fatmire Berlajolli, në rrugën  Mbreti Bardhyl.

Ballkonet e kateve të larta dhe lutjet për Zotin, në kohën e vërshimeve ishin e vetmja shpresë për banorët e kësa lagje.

“Jam kanë me bashkëshorten edhe dy djemtë se kam edhe nipa edhe mbesa edhe nuse po ata kanë shkuar te familjet e nusesve, fati mos me pa edhe fëmijët. Çka me bo dilshin këtu (në ballkon) unë jam frikësu që po ma merr edhe shtëpinë”, ka thënë Vesel Muriqi, Banor.

Këto tri rrëfime, sado të gjata për t’u thënë janë përjetuar për më pak se 30 minuta, aq sa zgjati vërshimi i parë.

Çka ka ndërmarrë e çka është dashur të bëjë komuna, ose a ka mundur të parandalohet kjo fatkeqësi, ka qenë temë për të cilën asnjë nga qytetarët nuk dha përgjigje konkrete.

Megjithatë banorët e këtushëm treguan se rruga “Azem Bejta”, për gati dy vite ka qenë e pa-asfaltuar dhe me zhavor.

“E qysh me i marrë masat bre çikë… ato janë punë që duhet me i kry operatorët, kanë vonu me i kry punët, por është kjo tjetra që nuk kthehet jeta, është tragjedi e ndodhur prej vërshimeve, prej sasisë së madhe të ujit e jo prej asaj rrugës atje”, ka thënë Gazemend Muhaxheri, Kryetar i Komunës.

Përpos dy të vdekurve edhe dy të lënduar kanë marrë trajtim në Spitalin e Pejës, dhe janë liruar në gjendje të mirë. Pas punës për t’i bërë të kalueshme rrugët, nga Komuna e Pejës kanë thënë se do të dalin komisionet vlerësuese dhe do të ndihmohen të gjithë ata që kanë nevojë.

 

Shija e redaktorit

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Pjesëtarët e FSK-së marrin pjesë në aktivitetin humanitar të dhurimit...

Forca e Sigurisë së Kosovës ka filluar aksionin humanitar për dhurimin vullnetar të gjakut, në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut. Këtij aktiviteti...

“Të gatshëm për zgjedhje”, gjithçka nga takimi ndërmjet Kurtit e...

Një darkë pune u zhvillua të hënën në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi. Në këtë...

Të fundit nga rubrika