“Mos udhëtoni nëpër Serbi”, Haradinaj thirrje pjesëtarëve të UÇK-së dhe familjarëve të tyre
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar që pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe familjarët e tyre, të mos udhëtojnë përmes territorit të Serbisë. Ai ka theksuar se ky paralajmërim vlen edhe për të gjithë pjesëtarët e institucioneve të rendit dhe të sigurisë, përfshirë ata që janë […]
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka paralajmëruar që pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), si dhe familjarët e tyre, të mos udhëtojnë përmes territorit të Serbisë.
Ai ka theksuar se ky paralajmërim vlen edhe për të gjithë pjesëtarët e institucioneve të rendit dhe të sigurisë, përfshirë ata që janë të liruar nga detyrat, si dhe për familjarët e tyre të ngushtë.
“Pjesëtarët e UÇK-së dhe familjarët e tyre nuk duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Gjithë pjesëtarët e institucioneve të rendit dhe të sigurisë, qoftë të liruar nga detyrat dhe përgjegjësitë, si dhe familjarët e tyre të ngushtë, s’duhet të udhëtojnë nëpër Serbi. Mos e bëni këtë!”, ka shkruar Haradinaj.
Më 7 qershor, Arbnor Spahiu, ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, është arrestuar nga autoritetet serbe dhe është transferuar në Qendrën e Ndalimit në Kanjizhë, afër Suboticës.
Pas dy ditësh ndalimi, më 9 qershor, gjykata serbe i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji.
Avokati i tij, Arianit Koci, e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe të motivuar politikisht, duke deklaruar se nuk ka asnjë provë që e lidh Spahiun me vepra penale.
Ai ka kërkuar reagim të menjëhershëm institucional nga krerët më të lartë të shtetit të Kosovës, përfshirë kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Ndërkohë, autoritetet serbe kanë deklaruar më herët se Spahiu ishte ende në ndalim 48-orësh dhe se nuk ishte marrë në pyetje nga prokuroria.
Spahiu, i cili, sipas avokatit, është ish-pjesëtar i Njësisë Speciale Operative të Policisë së Kosovës, u ndalua nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, gjatë kthimit të tij nga Austria me autobus.
Koci tha më herët gjatë 9 qershorit se ai ishte marrë në pyetje në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë të Zveçanit, në shtator të vitit 2023.















