Mosformimi i institucioneve po rrezikon fondet e Planit të Rritjes, Jakaj: Kurti duhet t’i intensifikojë takimet me partitë

Naim Jakaj, IKD

Hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, ka vlerësuar se vonesat në formimin e institucioneve të reja po prodhojnë pasoja të drejtpërdrejta në sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe procesin integrues të Kosovës, duke rrezikuar edhe përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

Në një prononcim për Ekonomia Online, Jakaj tha se Kosova nuk ndodhet në një situatë normale politike dhe institucionale, ndërsa theksoi se shtetësia ndërtohet përmes përmbushjes së objektivave strategjike dhe afrimit me standardet evropiane.

“Se a do të kemi institucione me shpejtësinë që do të duhej Kosova të vepronte, sepse ne nuk jemi në një situatë normale, jo normaliteti që Kosovën e ka përshkuar përgjatë këtyre dy viteve, ka qenë shumë i rëndë, veçanërisht për qytetarin e Republikës së Kosovës në njërën anë dhe në anën tjetër për vetë shtetësinë e Kosovës sepse, si me thënë, shteti nuk ndërtohet ose nuk shpallet sikurse që është shpallur më 17 shkurt 2008 përnjëherë dhe pastaj aty vendosen, kryhet shteti në atë kohë, por shteti ndërtohet mbi qëllimet dhe synimet të cilat i ka dhe ato qëllime dhe synime janë që Kosova të jetë sa më afër kritereve, sa më afër kushteve që i ka Bashkimi Evropian. Në mesin e këtyre kushteve është edhe plani i rritjes, që Kosova u vonua fillimisht ta miratojë, në ndërkohë edhe kur e miratoi nuk pati institucione që ta, që ta zbatojë”, tha ai.

Sipas Jakajt, mungesa e institucioneve funksionale po pengon disbursimin e fondeve të Planit të Rritjes dhe po ndikon negativisht në realizimin e projekteve të rëndësishme për vendin.

“Pra pasojat aktualisht janë evidente në disa fusha kyçe, veçanërisht tek sundimi i ligjit, tek mirëqeverisja dhe tek demokratizimi i vendit dhe në anën tjetër edhe tek zhvillimi ekonomik i Kosovës. Domethënë janë gati se 1/3 e buxhetit të Kosovës që do të duhej të vinin para nga plani i rritjes, në ndërkohë për shkak të mungesës së institucioneve, ato nuk mund të disbursohen për Kosovën. Nëse e vëreni, janë dhjetëra projekte të caktuara që lidhen me atë se duhet me pasë kuvend funksional, duhet me pasë qeveri legjitime dhe legale në mënyrë që ajo t’i kryejë proceset përpara”, tha ai.

Ai theksoi se bllokada institucionale po ndikon edhe në procesin e reformave në drejtësi, duke përmendur gjashtë projektligje që presin miratim nga institucionet e reja.

“Reforma në drejtësi, janë gati se gjashtë projektligje që lidhen, që vijnë nga deklarata e zotimeve që do të duhej qeveria t’i miratonte sa më shpejt një qeveri e ardhshme, dhe Kuvendi t’i miratonte po ashtu në lexim të parë dhe në lexim të dytë normalisht me vërejtjet e shoqërisë civile, veçanërisht të Institutit të Kosovës për Drejtësi”, tha ai.

Jakaj tha se mungesa e institucioneve po pengon edhe procesin e integrimit evropian të Kosovës, pas aplikimit për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian.

“Tjetër, integrimi. Ne kemi aplikuar në Bashkimin Evropian për statusin kandidat, në ndërkohë nuk ka asnjë zhvillim deri më tani në raport edhe nga Bashkimi Evropian por edhe nga Kosova. Por, Bashkimi Evropian nuk mund të jetë si me thënë iniciator ose proaktiv kur vetë Kosova nuk ka institucione legjitime dhe legale të cilat do të duhej me i çu përpara këto çështje që të dërgojnë deri tek marrja e statusit kandidat të BE-së”, tha ai.

Sipas tij, edhe fenomeni i migrimit lidhet ngushtë me mungesën e institucioneve funksionale dhe me dështimin për të adresuar problemet në sektorë kyç.

“Ndalimi i migrimit, domethënë është edhe përmes planit të rritjes, edhe përmes pasjes së një qeverie legjitime dhe legale, e cila i kryen detyrat e veta të përditshme, bën që qytetarët të mos migrojnë. Ne kemi qenë dëshmitarë të problemeve të ndryshme, veçanërisht kohëve të fundit në sistemin shëndetësor dhe ato janë krejt pasojë e mospasjes së vëmendjes së qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës si organ që mbikëqyr qeverinë, që ato çështje të mos jenë si me thënë të dukshme dhe evidente në sistemin shëndetësor”, tha ai.

Jakaj përmendi edhe vonesat në miratimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit dhe zbatimin e Strategjisë për Sundimin e Ligjit.

“Kosova deri më 31 dhjetor 2024 ka pasur si kriter edhe ligjor ta miratojë strategjinë për kundërkorrupsion. Nuk e ka të miratuar. Qeveria e Kosovës ka miratuar strategjinë për sundimin e ligjit 2021-2026. Deri më tani kjo strategji nuk ka mbërritur as 60 përqindëshin të të zbatimit të kësaj strategjie. Pikërisht ne e kemi pasur një raport ku tregohet vetëm për vitin 2023 që nuk ka kaluar as 50 përqindëshin e zbatimit të saj”, tha ai.

Ai përmendi edhe ngecjen e procesit të vetingut për shkak të mosmiratimit të amendamenteve kushtetuese.

“Vetingu. Ja paramendoni situatën kur ka amendamente kushtetuese të konfirmuara nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe ato nuk janë votuar, si pasojë ka mbetur vetingu në sistemin e drejtësisë, ai vetingu i pjesshëm, që nuk zbatohet për arsye që kuvendi, veçanërisht shumica parlamentare, partia e parë që në këtë rast është Lëvizja Vetëvendosje, nuk ka gjetur mundësinë që t’i gjejë edhe katër deputetë nga komunitetet joshumicë serb, që këto amendamente t’i votojë në ndonjërën prej seancave në dy legjislaturat e kaluara”, tha ai.

Sipas Jakajt, humbja e mundshme e fondeve të Planit të Rritjes do të ishte në dëm të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Kosovës.

“Krejt këto çfarë i përmenda janë dhe lidhen me planin e rritjes, që Kosova në rastin kur vonohet me formim të institucioneve, nuk do të mund t’i marrë këto mjete. Dhe fatkeqësisht ndoshta, përveç ndoshta në ndonjë marrëveshje politike, por, sipas asaj që shihet edhe në planin e rritjes edhe me Bashkimin Evropian, disa fonde ndoshta nuk do të mund të rikthehen në rast se nuk i zbatojmë ato kritere, ato kushte të cilat janë veçanërisht mirë për ne dhe jo për si me thënë në fund të mbrëmjes për Bashkimin Evropian. Ato janë kryesisht, veçanërisht të mirë për Republikën e Kosovës dhe për qytetarin në përgjithësi”, tha ai.

Jakaj kritikoi edhe mungesën e takimeve ndërmjet partive politike pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, duke vlerësuar se kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duhet t’i intensifikojë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje politike.

“Sikurse herët e kaluara, edhe në këtë rast, ne kemi pritur që do të ketë diskutime edhe pasi që rezultatet preliminare u publikuan, diskutime të iniciuara fillimisht nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje zoti Kurti, që ato bisedime të nisin sa më parë. U prit që të certifikohen, në rregull, por aktualisht nuk ka takime. Tregoni se a ka sot ndonjë takim me PDK-në, LDK-në dhe AAK-në? A ka ndonjë kërkesë të re për t’u takuar? Nuk do të duhej të pritej, si me thënë, të kalohej java dhe të mos kishte një takim në mes të këtyre partive politike. O të diskutohet për program, o të diskutohet për çështjen e presidentit. Këto të dyja do të duhej që të ishin çështje që partitë politike, veçanërisht Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë, do të duhej ta kishte prioritet që në kohën kur çohet në mëngjes zoti Kurti prej gjumit. Domethënë, ai do të duhej ta kishte prioritet t’i thërriste partitë politike në mënyrë që të gjente konsensus”, tha Jakaj për Ekonomia Online.

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika