Mosfunksionimi i web faqes së KQZ-së, Bislimi: Kosova u përball me kërcënime të sigurisë
Problemet që i kanë dalë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me performancën e sistemit të menaxhimit të votave, janë pasojë e kërcënimeve të sigurisë ndaj Kosovës. Këtë pretendim e ka bërë në Varshavë të Polonisë zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi. Para takimit në nivel ministrash për çështje evropiane, i organizuar nga Presidenca e Polonisë […]
Problemet që i kanë dalë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve me performancën e sistemit të menaxhimit të votave, janë pasojë e kërcënimeve të sigurisë ndaj Kosovës.
Këtë pretendim e ka bërë në Varshavë të Polonisë zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi.
Para takimit në nivel ministrash për çështje evropiane, i organizuar nga Presidenca e Polonisë së Këshillit të BE-së, Bislimi tha se vendi është përballur edhe me kërcënime të tjera.
“Ne patëm zgjedhje në Kosovë javën e kaluar dhe e përjetuam drejtpërdrejt këtë formë të kërcënimeve të sigurisë, për sa i përket sulmeve në faqen e internetit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por edhe një frekuencë shumë të sofistikuar dhe intensive të shpërndarjes dhe prodhimit të informacioneve të rreme, shumë të sofistikuar për sa i përket çështjeve dhe kohës së përzgjedhur”, ka thënë Bislimi.

Në kryeqytetin polak, Bislimi ishte pjesë e një diskutimi lidhur me kërcënimet hibride për procesin e zgjerimit dhe kundërpërgjigjen potenciale ndaj tyre.
Para se ky diskutim të niste, komisionerja e BE-së për zgjerim Marta Kos theksoi qëndrimin e bllokut evropian.
“Është kohë vendimtare për BE-në për të punuar me kandidatët, dhe t’u tregojmë se ka unitet se një BE më e madhe është diçka që na duhet në gjeopolitikën e ndryshuar plotësisht sot. Mezi po pres që deri në fund të presidencës polake, të kemi disa konferenca ndërqeveritare e mbyllje kapitujsh”, ka thënë Marta Kos, Komisionere e BE-së Zgjerim.

Prezent në këtë takim ishin ministra për çështje evropiane nga rajoni dhe Evropa, përfshirë shtetet anëtare dhe ato kandidate për anëtarësim.















