Rusia ka përshëndetur strategjinë e re të sigurisë kombëtare të administratës së Donald Trump, duke e cilësuar si “kryesisht të përputhshme” me qasjen e saj.
Dokumenti prej 33 faqesh, i publikuar javën e kaluar, thotë se Evropa po rrezikon “zhdukje civilizimi” dhe nuk e paraqet Rusinë si kërcënim për SHBA-të.
Në raport theksohen prioritetet si luftimi i ndikimit të huaj, ndalimi i migrimit masiv dhe kundërshtimi i asaj që SHBA e quan “censurë” brenda BE-së.
Zyrtarë dhe analistë të BE-së kanë kritikuar strategjinë, duke vënë në dyshim qasjen e saj ndaj lirisë së shprehjes dhe duke e krahasuar gjuhën e përdorur me atë të Kremlinit.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha për agjencinë ruse TASS se “ndryshimet që po shohim… janë kryesisht të përputhshme me vizionin tonë”. Ai e quajti dokumentin “hap pozitiv”, por shtoi se Moska do ta analizojë më tej para se të nxjerrë përfundime të plota.
Strategjia përdor një ton dukshëm më të butë ndaj Rusisë, gjë që ka ngritur shqetësime në BE se kjo mund të dobësojë presionin ndaj Moskës për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në dokument, BE-ja akuzohet se po pengon përpjekjet e SHBA-ve për t’i dhënë fund konfliktit dhe thuhet se SHBA duhet të “rivendosë stabilitetin strategjik me Rusinë”, me arsyetimin se kjo do të ndihmonte ekonomitë evropiane.
Strategjia sugjeron edhe ndikim të drejtpërdrejtë në politikat e kontinentit, duke thënë se SHBA duhet të mbështesë “rezistencën ndaj trajektores aktuale të Evropës brenda vetë vendeve evropiane”.
Dokumenti flet edhe për nevojën për rikthimin e “identitetit perëndimor” dhe pretendon se Evropa do të jetë “e panjohshme për 20 vjet ose më pak”, duke paralajmëruar humbje të mundshme të forcës ekonomike dhe ushtarake të disa shteteve.
Në të njëjtën kohë, strategjia vlerëson ndikimin e “partive patriotike evropiane”, duke thënë se SHBA “i inkurajon aleatët politikë në Evropë” që të promovojnë këtë “ringjallje të shpirtit”.
Ndërsa BE-ja vazhdon negociatat me administratën Trump për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, disa zyrtarë evropianë theksuan rëndësinë e aleancës me SHBA-në, por ngritën “pyetje” mbi dokumentin.
Ministri i Jashtëm gjerman, Wadephul, tha se SHBA mbetet aleati më i rëndësishëm në NATO, por theksoi se çështjet e lirisë së shprehjes “nuk kanë vend në këtë lloj strategjie, të paktën sa i përket Gjermanisë”.
Kryeministri polak, Donald Tusk, në një reagim në rrjete sociale, u kujtoi “miqve amerikanë” se “Evropa është aleati juaj më i afërt, jo problemi juaj”, duke nënvizuar “armiqtë e përbashkët”.
Ish-kryeministri i Suedisë, Carl Bildt, shkroi se dokumenti “pozicionohet në të djathtë të së djathtës ekstreme”.
SHBA po thellon marrëdhëniet edhe me partinë gjermane AfD, e cila konsiderohet ekstremiste e djathtë nga inteligjenca gjermane.
Në linjë me mesazhin “America First”, strategjia paralajmëron edhe veprime të mundshme ushtarake ndaj Venezuelës dhe synon luftimin e trafikut të drogës në Karaibe dhe Paqësorin lindor.
Strategjia kërkon gjithashtu rritje të shpenzimeve të mbrojtjes nga Japonia, Koreja e Jugut, Australia dhe Tajvani.
Demokratët në Kongres e kanë kritikuar ashpër dokumentin. Përfaqësuesi Jason Crow e quajti strategjinë “katastrofike për pozitën e Amerikës në botë”, ndërsa Gregory Meeks tha se ajo “hedh poshtë dekada të lidershipit amerikan të bazuar në vlera”./BBC