Mosratifikimi i marrëveshjeve ndërkombëtare, rrezik që Kosova të humbë projektet
Paralajmërimet për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit të tij nuk kanë qenë të pakta e dëmet në sektorin ekonomik veçse kanë nisur. Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë të cilët kanë thënë se Kosova ka humbur miliarda. “Nga mungesa e institucioneve ne nuk kemi ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Po e them me keqardhje që dëmet […]
Paralajmërimet për moskonstituimin e Kuvendit brenda afatit të tij nuk kanë qenë të pakta e dëmet në sektorin ekonomik veçse kanë nisur.
Kështu vlerësojnë njohës të ekonomisë të cilët kanë thënë se Kosova ka humbur miliarda.
“Nga mungesa e institucioneve ne nuk kemi ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare. Po e them me keqardhje që dëmet aktuale janë pothuajse afër një miliard e 200 milionë euro, duke përfshirë afër 830 milionë euro që kanë të bëjnë me IPA fondet 2 dhe 3, që kanë të bëjnë me agjendën për reforma të Bashkimit Evropian, me projekte të financuara nga SHBA-ja dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që kemi dy marrëveshje të paratifikuara me Bankën Botërore prej 230 milionë eurosh, e treta është 90 milionë euro dhe ato janë të ngrira, atëherë paramendoni cilat janë dëmet që po i shkaktohen Kosovës.”, deklaroi Safet Gërxhaliu, njohës i ekonomisë për EO.
Sipas tij, meqë numri i projekteve s’është i ulët, fondet do të alokohen për shtete të tjera, duke mos iu dhënë Kosovës si pasojë e mosrespektimit të këtyre afateve.
“Duhet ta dinë edhe ministrat në detyrë, edhe të tjerët që një projekt, i cili në vitin 2023 ndoshta ka kushtuar 100 milionë, sot nuk mund të realizohet as për 140 apo 150 milionë euro dhe ky është dëmi direkt. Dhe e dyta, shumë projekte kanë skadencë”, ka thënë ai.
I të njëjtit mendim është edhe kryetari i tanishëm i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.
“Kemi marrëveshje që janë mbi 800 milionë euro ose afër 900 milionëve, të cilat presin në Kuvendin e Kosovës për ratifikim, marrëveshje që janë të parapara për projekte kapitale, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritje ekonomike dhe në përmirësimin e cilësisë apo standardit të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe këto marrëveshje nuk po mund të ratifikohen, sepse nuk e kemi Kuvendin”, u shpreh për EO, Rafuna.















