Motivimi pas fatkeqësisë, mërgimtarët dhurojnë mijëra euro për studentët shqiptarë

Pas një humbjeje të dhimbshme, një familje shqiptare në mërgim, ka gjetur forcën për të shndërruar vuajtjen në një burim motivimi dhe solidariteti. Kjo familje e ka krijuar një fondacion për t'i ndihmuar studentët shqiptarë me bursa

Fotografi ilustrim: Logoja e Fondacionit Vildana.

Një ngjarje tragjike shpeshherë sjell me vete ndryshime të mëdha dhe një motivim të pandalshëm për të bërë diçka të madhe. Historia e organizatës bamirëse “Vildana Foundation” është pikërisht një shembull se si dhimbja mund të shndërrohet në burim frymëzimi dhe ndihme për të tjerët.

Në vitin 2018, një familje e mërguar shqiptare në Zvicër, u përball me humbjen e një anëtareje të shtëpisë së tyre, e cila quhej Vildana. Familja e saj vendosi ta kthejë dhimbjen e humbjes së saj në motiv për t’i ndihmuar të tjerët.

Ata vendosën që në emër të saj ta themelojnë “Vildana Foundation”, për t’i ndihmuar studentët shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë.

Driton Thaqi, drejtori i fondacionit “Vildana”, ka treguar se pas humbjes së motrës së tij, ata vendosën t’i ndihmonin familjet në nevojë në Kosovë dhe Shqipëri, përmes organizatave të bamirësisë. Derisa ishin në udhëtim duke i vizituar organizatat humanitare në Tiranë dhe Prizren, ata ndjenë nevojën e një ndihme afatgjate dhe efektive.

“Pas vdekjes së motrës sime (Vildana), kunati ynë ka mbështetur 2 familje në Kosovë dhe Shqipëri, përmes organizatave ndihmëse për të ndërtuar një shtëpi. Si një grup i përbërë nga anëtarë të familjes dhe miq, shkuam në një udhëtim për t’ i vizituar organizatat humanitare në Tiranë dhe Prizren. Teksa po ktheheshim nga Tirana në Prizren, shumë prej nesh ndjenë nevojën për të mbështetur njerëzit në nevojë”, ka treguar ai.

Drejtori i Fondacionit në Zvicër, Driton Thaqi, vëllau i Vildanës.

Kështu, sipas tij, lindi ideja për themelimin e “Vildana Foundation”, një fondacion që tani synon t’i ndihmojë studentët shqiptarë nëpërmjet ofrimit të bursave dhe mundësive të tjera arsimore.

“Një deklaratë ende mbetet në mendjen time sot: Shumë është investuar në blloqe, por jo në arsim. Gjatë udhëtimit, grupi ynë vendosi shpejt të japim kontributin tonë duke krijuar diçka që ka një ndikim afatgjatë dhe i shërben shoqërive lokale – sipas mendimit tonë, investimi më i mirë është në edukimin e të rinjve të talentuar”, është shprehur Thaqi për Dukagjinin.

Drejtori i fondacionit ka rrëfyer se ata u motivuan për t’i ndihmuar studentët shqiptarë pasi përjetuan vetë një sistem arsimor të shkëlqyer në Zvicër.

“Bordi mbikëqyrës i ‘VILDANA-Foundation’ aktualisht përbëhet ekskluzivisht nga njerëz që janë rritur në Zvicër dhe vijnë nga rajonet shqipfolëse. Ne ishim në gjendje të ndjekim një sistem të shkëlqyer shkollor në Zvicër dhe të përjetonim çdo ditë se çfarë do të thotë kur një sistem arsimor funksionon në mënyrë perfekte dhe çfarë kontributi të jashtëzakonshëm i jep shoqërisë”, ka thënë ai.

Thaqi gjithashtu ka bërë të ditur se Fondacioni është nën mbikëqyrjen e autoriteteve zvicerane dhe është i regjistruar në Regjistrin Tregtar në Zvicër.

Në deklaratën e tij, Thaqi ka përmendur se të gjitha kontributet bëhen nga llogaria e fondacionit në një bankë zvicerane. Ndërsa, një aspekt i pazakontë, siç ka thënë ai, ka qenë fakti se asnjë anëtar i bordit nuk merr pagë.

Në perspektivën afatgjatë, Thaqi ka bërë një deklaratë ambicioze për krijimin e një “Innovation Hub”, një qendër ku shkencat dhe inovacionet mund të zhvillohen.

“Ky koncept synon të sjellë një hapësirë ku studentët dhe ish-studentët bursistë të fondacionit, mund të angazhohen në projekte “Research & Development”, duke kontribuuar në zhvillimin dhe përhapjen e njohurive dhe inovacioneve me origjinë nga Kosova”, ka treguar ai.

Koordinatori i Funksionimit të Fondacionit, Labinot Kunushevci, shpjegon se bursat janë të rregullta dhe se ato jepen çdo muaj, dhe se përmes tyre, Fondacioni synon t’i mbështesë studentët deri në përfundim të studimeve.

“Bursat në VILDANA-Foundation janë bursa të rregullta mujore. Qëllimi ynë është mbështetja e studentëve deri në përfundim të studimeve, me kusht që raportet semestrale që studentët i dërgojnë tek unë çdo semestër, të jenë pozitive, me suksese të dëshmuara. Kjo garanton vazhdimësinë e bursave”, ka thënë Kunushevci.

Si koordinator, Kunushevci ka treguar se përballet me sfida të shumta, sidomos në procesin e vlerësimit të kandidatëve për bursa dhe monitorimin e tyre të vazhdueshëm.

Koordinatori i Funksionimit të Fondacionit, Labinot Kunushevci.

Kunushevci ka përshkruar strukturën e bordit të Fondacionit, duke përmendur një ekip të përbërë nga mërgimtarë shqiptarë “me një zemër të përmalluar për të ndihmuar”.

“Bordi i Fondacionit përbëhet nga anëtarët e familjes Vildana dhe miqtë e tyre, të cilët të gjithë janë banorë në Zvicër. Identifikimin e tyre e gjeni të publikuar në web faqen tonë: https://vildana-foundation.ch/?page_id=4092&lang=sq”, ka thënë ai.

Kunushevci ka bërë të ditur impaktin e Fondacionit në numrat aktualë, duke treguar se janë mbështetur mbi 30 studentë deri më tani dhe kanë marrë mbi 100 aplikime.

Ai ka theksuar se Fondacioni fokusohet në një grup të veçantë të studentëve, duke treguar se synimi është të ndihmohen ata që do të jenë “elita shoqërore” dhe kontribuues në fushat e tyre.

“Deri tani kemi mbështetur studentë që studiojnë në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut, nga rajone, qytete e fshatra të ndryshme, të nivelit Bachelor dhe Master, nga drejtime dhe universitete të ndryshme publike. Nuk bëjmë përjashtim për asnjë rajon nga vendet shqipfolëse. Jemi të hapur edhe për studentë nga Lugina apo Mali i Zi”, ka potencuar ai.

Kunushevci ka thënë se procesi i aplikimit hapet një herë në vit, zakonisht në shtator. Ai ka theksuar se një aplikant duhet të jetë i përgjegjshëm dhe të mos jetë në marrëdhënie pune me pagë, duke garantuar që nuk do të kërkojë bursë tjetër ndërkohë që është pjesë e “Fondacionit VILDANA”.

Në një intervistë për Dukagjinin, Bajram Mehmeti, student i Stomatologjisë në vitin e katërt të Fakultetit të Mjekësisë, ka treguar për ndikimin pozitiv të bursës nga “Vildana-Foundation” në rrugën e tij akademike.

Si shumë studentë të tjerë në Kosovë, Bajrami ka përjetuar sfida të shumta në rrugën e tij për t’u arsimuar, duke filluar nga nevoja për libra dhe shpenzime të tjera të lidhura me studimet.

Bursa e Fondacionit “Vildana” ka qenë një ndihmë jashtëzakonisht e rëndësishme për të, e cila ka thënë se ia ka lehtësuar atij mundësinë për ta siguruar literaturën dhe për t’iu përgjigjur obligimeve universitare.

Bajram Mehmeti, student i Stomatologjisë në vitin e katërt të Fakultetit të Mjekësisë.

Mehmeti tregon se bursa e ka ndihmuar në përfundimin e provimeve brenda afatit kohor dhe ka lehtësuar shumë situatat të vështira, si gjetja e banesës gjatë muajve verorë, kur konviktet janë të mbyllur.

“Fondacioni ‘Vildana-Fondation’ është një fondacion shumë korrekt dhe shpërndarja e bursave bëhet në bazë të meritokracisë, dhe në këtë fondacion nuk ka vende për padrejtësi ashtu siç dëgjojmë të ketë në vendet e tjera, ku kurdisen dhe bëhen manipulime në shpërndarjet e bursave, e në rastin tonë nuk më është bërë mua as kolegëve të mi asnjë padrejtësi”, është shprehur ai.

Ndërkohë, Flora Halimi, studente në vitin e tretë në Fakultetin Juridik, njëherësh bursiste e “Fondacionit Vildana”, ka treguar se ndihma financiare  ka ndikuar pozitivisht në rrugën e saj studimore.

Flora Halimi -studente në vitin e tretë të Fakultetit Juridik.

“Tani jam në vitin e fundit, afër diplomimit, njëra ndër arritjet për çka edhe dedikohet në thelb kjo bursë, por gjatë këtyre viteve për ta formësuar personalitetin dhe ndërtimin e pasurimin e karrierës, jam angazhuar e certifikuar në trajnime, shkolla të aktivizimit, workshope në rrafshin e së drejtës së medias, lidershipit, barazisë gjinore”, ka treguar ajo.

Ndër të tjera, ajo ka thënë se në institucionet publike bëhen padrejtësi në ndarjen e bursave, duke qenë se vetë ajo e kishte përjetuar këtë padrejtësi para ca kohe.

Lumi Hajra, ish-student bursist i Fakultetit të Edukimit Fillor, ka ndarë eksperiencën e tij pas përfundimit të studimeve dhe punësimit si mësimdhënës në Mitrovicë.

Ai ka thënë se kjo bursë ka pasuar rrugën e tij drejt suksesit përmes përkrahjes morale, personale, profesionale dhe financiare.

Lumi Hajra, ish-student bursist i Fakultetit të Edukimit Fillor.

“Nga bursa kam marrë shumë aftësi dhe përvoja pozitive, si bashkëpunimi me secilin nga studentët, aktivitetet e bashkorganizuara, qëllimi fisnik e human, fryma shpirtërore e bamirëse, trajtesa si kuadro dhe personalitete me peshë në segmente të ndryshme të jetës shkencore dhe botës profesionale/akademike”, është shprehur ai.

Si ish-bursist, Lumi ka dhënë këshilla për studentët aktualë. Ai i ka inkurajuar ata të kuptojnë rëndësinë e bursave dhe t’i përdorin ato si burim motivimi për të studiuar.

Po ashtu, ai ka këshilluar që të angazhohen me përkushtim dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që u ofrohet, duke pasuar modelin e tij të suksesit dhe përgatitjes profesionale.

Përtej historisë së tyre, “Vildana Foundation” bën thirrje për solidaritet dhe ndihmë reciproke. Në kohërat më të vështira, ata na kujtojnë se si një akt i dobishëm mund të lindë nga një periudhë e errët. Kjo mund të jetë edhe një thirrje për të gjithë ne për të gjetur motivimin dhe shpresën në momentet e vështira dhe për të shërbyer si burim frymëzimi për njëri-tjetrin.

Shija e redaktorit

Shtëpia botuese “Dukagjini” shpërndan çmime për fëmijë në Panairin e...

Për katër ditë me radhë një pjesë e shesheve të Prishtinës u është dedikuar fëmijëve. Aty është organizuar Panairi i Librave për Fëmijë. Pjesë e këtij...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka shpërndarë çmime për fëmijë në Panairin...

Sot është dita e katërt e panairit të Librit për Fëmijë që po mbahet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Shtëpia Botuese “<a href="http://<iframe src="https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fdukagjinipublishing%2Fposts%2Fpfbid02YAeQHpvFm2GWcbnSERzYo68YXk5UGMDCBxQE9F8K3qgYvcNjMhYvGvXUUy73mL3Xl&show_text=true&width=500"...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me ofertë deri në 50 %...

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po vjen me edicionin e dytë me radhë, andaj një festë e madhe po përgatitet për të...

Të fundit nga rubrika