MPJ-ja e Bullgarisë i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut për “manifestimet” kundër Sofjes
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, i ka dërguar një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, lidhur me “manifestimet dhe parullat e shumta të drejtuara kundër Bullgarisë”, në hapësirat publike të vendit. Në notë shprehen shqetësimet e thella për atë që po ndodh, “e cila është edhe një përgjigje […]
Ministria e Punëve të Jashtme e Bullgarisë, i ka dërguar një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, lidhur me “manifestimet dhe parullat e shumta të drejtuara kundër Bullgarisë”, në hapësirat publike të vendit.
Në notë shprehen shqetësimet e thella për atë që po ndodh, “e cila është edhe një përgjigje ndaj narratives së përhapur antievropiane, kundër vendosjes së marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë mes dy vendeve”.
“Është veçanërisht shqetësuese që aktet dashakeqe në hapësirat publike po përshkallëzohen në një kohë kur Sofja dhe Shkupi po kërkojnë në mënyrë aktive një mënyrë për dialog konstruktiv dhe gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme reciprokisht të pranueshme në interes të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit. Besojmë se akte të tilla do të bëhen pjesë e së kaluarës dhe dy vendet tona do të arrijnë të hapin një faqe të re në marrëdhënie, të bazuar në respektin e ndërsjellë dhe miqësinë e sinqertë”, thuhet nga MPJ e Bullgarisë.
Siç shkruan “Dnevnik”, kjo notë është dërguar pas më shumë se një jave protesta kundër “bullgarizimit” të Maqedonisë së Veriut, që sipas pjesëmarrësve në demonstrata do të ishte fati i vendit pas pranimit të propozimit të Presidencës franceze të Këshillit Evropian.
Në të njëjtën kohë, Sofja pret që Shkupi të dënojë manifestimet e urrejtjes kundër Bullgarisë dhe bullgarëve në hapësirën publike.
Pjesëmarrësit në këto aksione shprehin qëndrim negativ dhe shpesh fyes ndaj Bullgarisë dhe e barazojnë atë me “fashistët”.















