MPJD: Serbia i cakton 30 ditë paraburgim Dukagjin Maxhunit, e akuzon për krime lufte

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka njoftuar se autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj shtetasit të Kosovës, Dukagjin Maxhuni, të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nën pretendimet për krime lufte të vitit 1999.

Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka njoftuar menjëherë Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, ndërsa u është dërguar notë verbale edhe misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi.

Ministria thotë se këto veprime janë ndërmarrë me qëllim të angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Kosovës.

Ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e Maxhunit, ndërsa përmes Zyrës Ndërlidhëse do të paraqitet kërkesa zyrtare për lejimin e vizitës tek i arrestuari.

Vizita pritet të realizohet gjatë javës së ardhshme.

MPJD ka bërë të ditur se do të vazhdojë monitorimin e rastit dhe ndërmarrjen e veprimeve diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të Maxhunit.

Të fundit nga rubrika