MPJD: Serbia po refuzon të ofrojë informacione për arrestimin e Lulzim Halilit
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas arrestimit të shtetasit të Republikës së Kosovës, Lulzim Halili, duke thënë se autoritetet serbe po refuzojnë të ofrojnë çfarëdo informacioni për ndalimin e tij. Edhe pse Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kontaktuar stacionin policor në Svilajnac, ku besohet se po mbahet Halili, zyrtarët […]
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas arrestimit të shtetasit të Republikës së Kosovës, Lulzim Halili, duke thënë se autoritetet serbe po refuzojnë të ofrojnë çfarëdo informacioni për ndalimin e tij.
Edhe pse Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kontaktuar stacionin policor në Svilajnac, ku besohet se po mbahet Halili, zyrtarët serbë kanë refuzuar të japin detaje.
Sipas MPJD-së, Zyra Ndërlidhëse në Serbi ka tentuar të konfirmojë arrestimin në orët e vona të mbrëmjes, por autoritetet serbe nuk kanë dhënë informacione.
“Sipas informacioneve të pranuara, z. Halili është ndaluar nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi dhe është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti. Zyra Ndërlidhëse ka tentuar të konfirmojë arrestimin përmes kontaktit me Stacionin Policor në Svilajnac rreth orës 23:00 mbrëmë, mirëpo zyrtari policor kujdestar ka refuzuar të ofrojë detaje mbi rastin”, thuhet në reagim.
Sipas MPJD-së, një kërkesë zyrtare është adresuar më 23 korrik Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të saj në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e BE-së në Serbi, por ende nuk ka përgjigje.
“Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe”, thuhet nga MPJD.
Sipas njoftimit, sot rasti është adresuar edhe tek vendet e Quint-it dhe Delegacioni i Bashkimit Evropian, ndërsa Zyra Ndërlidhëse pritet të kërkojë vizitë në qendrën e mbajtjes, nëse ndaj Halilit shqiptohet paraburgim apo ngrihen akuza penale.
Ministria u bën thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet dhe kalimet tranzite përmes territorit të Serbisë, për shkak të rrezikut të ndalimeve dhe arrestimeve arbitrare nga autoritetet serbe.















