MPJD: S’ka shtetas të Kosovës në mesin e viktimave nga sulmi në Pragë
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas sulmit me armë zjarri në Pragë të Çekisë, ku për pasojë humbën jetën 14 persona, si dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka shprehur ngushëllimet për sulmin e armatosur në Universitetin e Karlit në Pragë, ku […]
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas sulmit me armë zjarri në Pragë të Çekisë, ku për pasojë humbën jetën 14 persona, si dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka shprehur ngushëllimet për sulmin e armatosur në Universitetin e Karlit në Pragë, ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën dhjetëra të tjerë.
Ministria ka bërë të ditur se, sipas të dhënave zyrtare, nuk ka shtetas të Republikës së Kosovës në mesin e viktimave dhe të të lënduarve.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është thellësisht e tronditur nga sulmi i armatosur që ndodhi sot në Universitetin e Karlit në Pragë, ku për pasojë humbën jetën 15 persona si dhe mbetën të plagosur dhjetëra të tjerë. Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës i shpreh ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave dhe i uron shërim të shpejt të plagosurve. MPJD njofton opinionin publik se sipas të dhënave të deritanishme zyrtare nuk ka shtetas të Republikës së Kosovës në mesin e viktimave dhe as të lënduarve”, thuhet në reagimin e MPJD-së.
MPJD-ja, gjithashtu, ka njoftuar se Ambasada e Kosovës në Pragë ka kontaktuar me profesorë dhe studentë të seksionit të gjuhës shqipe në universitetin ku ndodhi sulmi, duke shprehur solidaritetin dhe për të ofruar asistencë.
Nëpërmjet ambasadës, është lëshuar një njoftim për shtetasit e Kosovës në Pragë, duke bërë thirrje që të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale dhe duke ofruar një linjë emergjente telefonike në dispozicion 24 orë për çdo kërkesë për ndihmë konsullore.
Ministria ka përsëritur ngushëllimet e saj për familjet e viktimave dhe ka shprehur shpresën për shërim të shpejtë për të plagosurit.
Ajo ka theksuar angazhimin e saj për të ndjekur ngjarjet dhe për të siguruar mbështetje maksimale për komunitetin e Kosovës në Pragë gjatë kësaj periudhe të vështirë.
Konjufca: Të tronditur, bashkëndiejmë dhimbjen e popullit të Çekisë
Ndërkaq, për këtë rast ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili ka thënë se “në këto momente të vështira bashkëndiejmë dhimbjen e popullit të Çekisë dhe familjarëve, duke u shprehur ngushëllimet më të thella atyre për viktimat”.
“Qëndrojmë pranë tyre, duke uruar po ashtu shërim të shpejtë për të plagosurit dhe duke shpresuar që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë askund!”, ka shkruar tutje ai në Facebook.
14 persona të vrarë si pasojë e sulmit në universitet në Pragë
Një student i Universitetit të Karlit në Pragë ka vrarë të enjten 14 studentë dhe ka plagosur 25 të tjerë, 10 prej tyre seriozisht. Sipas Policisë, sulmuesi, 24-vjeçar, e ka paramenduar sulmin.
Autoritetet e kanë gjetur më vonë trupin e tij të pajetë në ambientet e universitetit.
Policia ka thënë më herët se mbi 15 persona janë vrarë si pasojë e të shtënave në universitetin në qendër të Pragës, përfshirë sulmuesin, që ka qenë student i institucionit.
Nuk është bërë e ditur nëse në përditësimin e fundit të policisë për të vrarët është përfshirë sulmuesi.
Ministri i Brendshëm çek, Vit Rakushan, ka thënë se në ndërtesën e universitetit është gjetur numër i madh armësh.
Ai ka thënë se shifra e viktimave do të mund të ishte shumë më e madhe, nëse nuk do të kishte reagim të shpejtë policor.
Sulmuesi i Pragës lidhet me dy vrasje të javës së kaluar
Ministri i Brendshëm i Republikës Çeke dhe policia kanë folur në një konferencë shtypi, ku thanë se oficerët po punojnë mbi teorinë se sulmuesi i sotëm ishte përgjegjës për vdekjen e dy personave javën e kaluar në pyllin Klanovicky pranë Pragës, raporton BBC.
Ata besonin se vrasësi – i cili nuk ka histori kriminale – i zgjodhi viktimat e tij rastësisht.















