Një ngjarje në kufijtë e mrekullisë dhe e denjë për filma ka ndodhur në Bulqizë ku një 35-vjeçar ishte shpallur i humbur nga familja, pasi nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk përgjigjej në telefon.

Por kthesa ka ardhur 3 ditë pas humbjes së tij, kur disa fëmijë që po laheshin pranë shtratit të lumit në zonën e Zallit në Bulqizë, pranë urës së Çeranecit kanë konstatuar një makinë të aksidentuar.

Menjëherë kanë lajmëruar forcat e policisë, të cilat pasi kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, kanë gjetur të gjallë të riun, i cili kishte përfunduar me makinë aksidentalisht tre ditë më parë pranë ujërave të lumit Zall.

Isa Nurçe është gjetur i gjallë brenda automjetit të rrëzuar në shtratin e lumit mesditën e së premtes ku mjeti i akisdentuar është konstatuar nga disa fëmijë që po laheshin aty pranë.

Pas mbërritjes së shërbimeve të policisë dhe urgjencës i riu është dërguar menjëherë në spital për të marrë ndihmën mjekësore.

Kujtojmë që babai i të riut kishte denoncuar humbjen e djalit në organet e Policisë.

Njoftim i Policisë – Bulqizë / Informacion paraprak

“Sot, më datë 06.06.2025, rreth orës 18:30, shërbimet e Policisë kanë marrë njoftim se pranë rrethrrotullimit të Shupenzës është gjetur nga disa banorë të zonës një automjet i përmbysur pranë lumit. Menjëherë, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe, nga verifikimet, është identifikuar drejtuesi i automjetit, shtetasi I.N., 35 vjeç, i cili ditën e djeshme ishte shpallur në kërkim, pasi babai i tij kishte kallëzuar se ishte larguar nga banesa. 35-vjeçari është dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Traumës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë./Euronews.al