Një ceremoni po pritet të fillojë me rastin e prezantimit të yllit portugez, Cristiano Ronaldo, te skuadra e Arabisë saudite, “Al Nassr”.

Është stadiumi “Mrsool Park”, ai i cili është stërmbushur me tifozë të tërë, në pritje për ta parë Ronaldon me fanellën e re të ekipit që do ta përfaqësojë. Klubi mori më shumë se 130 mijë kërkesa për bileta, ndonëse ai ka kapacitet prej 25 mijë ulsesh.

Duke folur në një konferencë për shtyp para se të dilte në fushë para tifozëve të tij të rinj në shtëpi, Ronaldo tha se ndihet krenar për vendimin e marrë.

“Ndihem shumë krenar që marr këtë vendim të madh në jetën time. Në Europë puna ime është bërë, fitova gjithçka dhe tani kjo është një sfidë e re. Jam mirënjohës që Al Nassr më ka dhënë këtë mundësi, jo vetëm për futbollin, por edhe për brezin e ri dhe brezin femëror. Për mua kjo është një sfidë, por ndihem shumë i lumtur dhe shumë krenar”, ka thënë ai.

E marta, do të shënojë gjithashtu takimin e parë të Ronaldos me shokët e tij të ri të “Al Nassr” dhe trajnerin, Rudi Garcia.

Ylli portugez, Cristiano Ronaldo, ka nënshkruar një kontratë dyvjeçare me klubin e Arabisë Saudite, Al-Nassr, të premten, kështu ka raportuar klubi në fjalë në rrjetin social Instagram.

Bisedimet mes Ronaldos dhe Al Nassr kanë nisur në nëntor gjatë Kupës së Botës. Bisedimet shkuan mirë dhe lëvizja tani është bërë.

Deklarata e Al Nassr për Ronaldon “Kjo është më shumë se histori në progres. Ky është një nënshkrim që jo vetëm që do të frymëzojë klubin tonë për të arritur suksese edhe më të mëdha, por do ta frymëzojë ligën tonë, kombin tonë dhe brezat e ardhshëm, djemtë dhe vajzat që të jenë versioni më i mirë i vetvetes”.