Ministria e Shëndetësisë në Kosovë zyrtarisht ka nënshkruar një Udhëzim Administrativ që synon të përmirësojë qasjen e qytetarëve ndaj trajtimit mjekësor jashtë institucioneve publike apo jashtë vendit.

Kjo masë, sipas Ministrisë ka për qëllim të ofrojë mbështetje financiare për qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për trajtime të cilat nuk ofrohen në institucionet shëndetësore publike të vendit.

Sipas këtij udhëzimi, çdo qytetar i Republikës së Kosovës ka të drejtën për një kompensim financiar deri në 30,000 euro brenda një viti për trajtimet që nuk janë të disponueshme në sistemin shëndetësor publik të vendit.

“Gjithashtu, të gjithë qytetarëve rezident sipas ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës u sigurohet e drejtë të qasjes së barabartë në kujdesin shëndetësor, respektivisht kur paraqiten kërkesa për trajtim mjekësor jashtë institucioneve publike”, thuhet në njoftim.

Lexo edhe: Opozita me kritika pas raportit të ZKA-së për Fondin për Sigurime Shëndetësore

“Përmes UA Nr: 03/2023 gjithsecili qytetar i Republikës së Kosovës gëzon të drejtën e mbështetjes financiare në vlerë deri në 30,000 euro brenda një viti për shërbimet që nuk ofrohen në institucionet publike shëndetësore në Kosovë”, thuhet tutje në njoftim.

Përveç kësaj, këtë ndihmë financiare e përfitojnë gjithashtu personat me status të invalidit të luftës, anëtarët e ngushtë të familjes së dëshmorëve, viktimat civile të luftës, personat deri në 18 vjeç, personat me aftësi të kufizuara dhe ata që janë përfitues të ndihmës sociale.

Siç ka njoftuar MSH-ja, për personat mbi moshën 18 vjeç, kompensimi është 70% e vlerës së çmimit referent ose mesatares së çmimit të tre faturave për trajtim mjekësor.