Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e 30 nëntorit, gjatë interpelancës ku po diskutohej për çështjen “masat urgjente”, në raport me situatën e krijuar në vend, ka thënë për propozimin franko-gjerman se e ka konsideruar si bazë të mirë për të diskutuar mbi të, por që nuk i ka pëlqyer gjithçka aty.

“Nuk më pëlqen mua gjithçka aty, ka shumëçka që duhet të diskutohet, ama ajo që nuk e kam pranuar asnjëherë gjatë këtij procesi me Serbinë, është që nga 33 marrëveshjet e kaluara në Bruksel, gjatë asaj dekade, ta përzgjedhin si një tryezë suedeze, pikërisht, Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, ka deklaruar Kurti.

Sipas tij, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe nuk është zgjidhje.

“Kur shtrohet çështja e pakicave kombëtare, le të thotë Beogradi se kjo zgjidhet me asociacion, por nuk mendoj se kjo zgjidhet me asociacion. Mbase edhe kështu do të thotë Beogradi, por pastaj edhe unë e them fjalën time”, ka vijuar ai.

E për këtë, analisti politik, Artan Muhaxhiri, në një lidhje direkte në emisionin “Magazina” në Radio Dukagjini, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka rrugëdalje tjetër nëse do të qëndrojë në pushtet veçse të merret me asociacionin.

“Asnjë president as kryeministër nuk është i fuqishëm t’iu bëjë ballë këtyre kërkesave të ndërkombëtarëve për asociacionin, pasi është bërë kërkesë e unifikuar”, ka deklaruar ai.

Sipas Muhaxhirit, gjithë ai kundërshtim i Kurtit deri sa ka qenë në opozitë, tani po i kthehet boomerang.

Sipas tij, është normale që kur dikush është në opozitë, të ketë gjuhën më të vrazhdë dhe diskursin më të ashpër, për të krijuar momentum të votave.

“Qëndrimi i tij tash është një lloj autoshantazhi, nuk mund ta ndryshojë pozicionin për 180 shkallë dhe tani ta pranojë me lehtësi, në takimet edhe para kamerave edhe prapa kamerave me zyrtarë evropianë i thonë se asociacioni është një hap me rëndësi që hyn në pako të marrëveshjes finale”, ka vijuar ai.