Ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja, ka vizituar sot fshatin Kovragë të Istogut, një ditë pasi breshëri ka shkaktuar dëme të mëdha në kulturat bujqësore në pothuajse të gjitha fshatrat e kësaj komune.
Gjatë vizitës në terren, Muja ka parë nga afër dëmet e shkaktuara te fermerët dhe ka shprehur solidaritet me ta për humbjet e pësuara pas një viti pune.
“Bashkëndjejmë dhimbjen për humbjen e punës që e kanë bërë fermerët për një vit. U dakorduam që ta kalojmë bashkërisht këtë sfidë”, ka deklaruar Muja.
Ai ka bërë të ditur se bashkë me kryetarin e Komunës së Istogut, Ilir Feratin, janë pajtuar që të shqyrtojnë mundësinë e themelimit të një qendre për paralajmërim të hershëm, në mënyrë që fermerët të kenë më shumë mundësi për t’u përgatitur ndaj fatkeqësive natyrore.
“Ajo çfarë ne dëgjojmë nga fermerët është nëse ka vërshime, brymë apo breshër. Ministria e Bujqësisë i ka rishikuar masat e mbështetjes për të gjithë fermerët e Kosovës. Rrjetat e breshërit dhe serrat kanë qenë një mburojë, edhe pse është e vërtetë që janë dëmtuar disa prej tyre, por kulturat bujqësore janë ruajtur”, ka thënë Muja.
Ministri në detyrë ka theksuar rëndësinë e sigurimit bujqësor, duke shtuar se fermerët duhet të kenë më shumë informim për mbrojtjen nga rreziqet natyrore.
“Na duhet të mendojmë për bujqësinë e së ardhmes. Istogu dhe bujqit e Istogut do ta tejkalojnë këtë situatë bashkërisht. Do të formojmë edhe ekipet e përbashkëta për ta tejkaluar këtë sfidë”, ka shtuar ai.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati, ka thënë se breshëri ka shkaktuar një fatkeqësi të madhe natyrore dhe se institucionet do të qëndrojnë pranë fermerëve të prekur.
“Jemi bashkë sot këtu me ministrin pas një fatkeqësie fort të madhe natyrore që ka ndodhur në Istog gjatë ditës së djeshme. Qëllimi është t’u afrohemi fermerëve në këtë rast ku dëmtimet janë të rënda dhe t’ju garantojmë që bashkërisht me ministrin e Bujqësisë do t’ju qëndrojmë afër”, ka deklaruar Ferati.
Ai ka bërë të ditur se dëme janë evidentuar në kultura të ndryshme bujqësore, përfshirë plantacione me mollë, sera, fusha me shalqi dhe kultura të tjera, ndërsa ka kërkuar mbështetje për kompensimin e fermerëve të prekur.