Muja: Ish-opozita po do ta bllokojë formimin e Qeverisë Kurti 3
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se partitë që ishin në opozitë po duan ta bllokojnë formimin e Qeverisë Kurti 3, rrjedhimisht sipas tij, ta mohojë vullnetin politik në zgjedhjet e 9 shkurtit. “Sot është seanca e 22-të ku deputetët e ish-opozitës nuk votojnë fare. Kemi hyrë në javën e pestë ku ka […]
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se partitë që ishin në opozitë po duan ta bllokojnë formimin e Qeverisë Kurti 3, rrjedhimisht sipas tij, ta mohojë vullnetin politik në zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Sot është seanca e 22-të ku deputetët e ish-opozitës nuk votojnë fare. Kemi hyrë në javën e pestë ku ka shkuar kërkesa nga opozita në Kushtetuese. Po e presim vendimin. Deputetët e opozitës vijnë këtu me qëllimin e vetëm që të bllokojnë konstituimin e Kuvendit, në mënyrë që të bllokohet formimi i Qeverisë Kurti 3. Kjo katrahurë është përpjekja për ta bllokuar formimin e Qeverisë Kurti 3, dhe në vetvete për ta mohuar vullnetin politik të manifestuar më 9 shkurt. Kjo është logjika e sjelljes së opozitës”, ka thënë Muja.
Të mërkurën, dështoi për herë të 30-të konstituimi i Kuvendit.
Sërish ngërçi është te votimi për formimin e një komisioni të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ndryshe, Muja theksoi se procesi i liberalizimit të tregut ka nisur vite më parë dhe është përgatitur nga qeveritë e kaluara, përmes udhërrëfyesve dhe ligjeve që e kanë përcaktuar afatin e fundit për përfshirjen e bizneseve në treg të hapur deri më 31 mars 2021.
“Sa i përket energjisë, në vitin 2016, PDK dhe LDK kanë qenë në koalicion, më konkretisht dy protagonistë kanë qenë Isa Mustafa nga LDK-ja dhe Blerand Stavileci nga PDK, që kanë miratuar pakon e ligjeve për liberalizimin e tregut të energjisë. Në vitin 2017, ZRRE po ashtu e PDK-së dhe LDK-së e miraton udhërrëfyesin për liberalizimin e tregut të energjisë dhe ata parashihnin që të gjitha bizneset në 35, 20 edhe 10 kilovat të dalin në tregun e energjisë dhe afat përfundimtar ka qenë 31 mars 2021. Kjo është e vërtetë: vendimin për liberalizimin dhe ligjet i kanë marrë forcat politike që po kritikojnë tani. Në vitin 2019, në atë kohë kryetari i OEK, Berat Rukiqi, kandidat për deputet i LDK, pat deklaruar që nëse nuk liberalizohet tregu, të gjitha bizneset falimentojnë. Tash, 5-6 vite më vonë, tjetri ish-pretendent për deputet i PDK-së i cili tash është kryetar i OEK, vjen e thotë të kundërtën,” tha ai.















