Ministria e Bujqësisë ka njoftuar se është nënshkruar Udhëzimi Administrativ për Pagesat Direkte – Subvencionet 2026, përmes të cilit i hapet rrugë nisjes së thirrjeve për mbështetjen financiare të fermerëve në gjithë vendin.
Sipas këtij vendimi, Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë obligohet të hapë thirrjen për aplikim, ndërsa pagesat do të realizohen pas verifikimit të aplikimeve dhe në përputhje me afatet e përcaktuara në udhëzim.
Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka bërë të ditur se paketa e re e subvencioneve për vitin 2026 sjell rritje të mbështetjes në disa sektorë kyç të bujqësisë, me synim forcimin e prodhimit vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
“Sot kam nënshkruar Udhëzimin Administrativ për Pagesat Direkte – Subvencionet 2026, përmes të cilit obligohet Agjencia për Zhvillimin e Bujqësisë të hapë thirrjen për mbështetjen e fermerëve të Kosovës. Pagesat do të realizohen shpejtë, pas verifikimit, sipas afateve të përcaktuara në Udhëzimin Administrativ.
Risitë kryesore të mbështetjes për vitin 2026 janë:

30% rritje për sipërfaqet e mbjella me perime në fushë të hapur dhe në serra

30% rritje për sipërfaqet e mbjella me pemë

20% rritje për pagesat e grurit me rendiment të lartë

20% rritje për sipërfaqet e mbjella me mjedra

20% rritje për sipërfaqet e mbjella me patate dhe fasule

20% rritje për mbështetjen e mëshqerrave për riprodhim

20% rritje për mbështetjen e viçave për majmëri

10% rritje për sipërfaqet e mbjella me vreshta

7 cent për litër subvencion për qumështin

100 euro shtesë për secilin fermer që kultivon hektarin e parë

100 euro për hektar mbështetje për plehun artificial

54 euro për hektar mbështetje për naftën

500 euro mbështetje për të rinjtë dhe të rejat (18–29 vjeç) që regjistrohen për herë të parë në skemat e pagesave direkte.
Të gjitha kulturat tjera mbeten sipas vitit të kaluar.
Me këtë paketë, po rrisim mbështetjen për prodhimin vendor, po fuqizojmë fermerin aktiv dhe po e bëjmë bujqësinë më të qëndrueshme e më konkurruese.
Një risi e rëndësishme është se ky Udhëzim Administrativ, për dallim nga praktikat e deritanishme, është konceptuar si një kornizë afatgjatë sipas praktikave të BE-së. Qëllimi është që në vitet në vijim thirrjet për aplikim të hapen me kohë dhe të jenë të harmonizuara me kalendarin e punëve bujqësore, duke u mundësuar fermerëve planifikim më të mirë të prodhimit dhe investimeve të tyre”, ka njoftuar Muja.