Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, ka paralajmëruar kallëzim penal ndaj kompanisë rajonale të ujitjes “Drini i Bardhë”, duke e akuzuar për shkelje të marrëveshjes së mirëkuptimit me Ministrinë dhe keqpërdorim të ujit të destinuar për fermerët.
Në një konferencë për media, ku u publikuan analizat për sektorin e qumështit, Muja tha se Ministria e Ekonomisë e ka njoftuar se kompania “Abrazeni”, e njohur si qumështorja “Vita”, ka përdorur ujë nga sistemi i ujitjes.
“Siç na ka njoftuar Ministria e Ekonomisë, qumështorja ‘Abrazeni’ (Vita) e përdor ujin e sistemit të ujitjes. Uji, sipas rregullores për higjienë, duhet të jetë vetëm ujë i trajtuar, pra ujë i pijes. Ne dyshojmë se ‘Drini i Bardhë’ e ka keqpërdorur dhe e ka shkelur marrëveshjen me Ministrinë e Bujqësisë, duke e rikanalizuar ujin e dedikuar për fermerët e Istogut për ta furnizuar në mënyrë të jashtëligjshme kompaninë ‘Abrazeni’”, deklaroi Muja.
Ai bëri të ditur se ka kërkuar ndërprerjen e marrëveshjes së Ministrisë me kompaninë “Drini i Bardhë”, ndërsa tha se nga kjo kompani janë kërkuar edhe sqarime.
Sipas Mujës, kompania ka pranuar se ka përdorur ujin e sistemit të ujitjes, por ka arsyetuar se kjo është bërë vetëm për furnizimin e cisternave të qumështit.
“Për këtë rast, Ministria do të procedojë me kallëzim penal ndaj kompanisë”, tha Muja.