Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e VV-së, Armend Muja, e ka cilësuar të papranueshëm lirimin në dorëzani të Nemanja Vlaskoviq, i dyshuar për sulm ndaj gazetarëve në veri.

Sipas tij, gjyqtari ka pasur opsione të tjera që parashihen me Kodin Penal të Kosovës.

“Është tërësisht i papranueshëm dhe i gabuar një vendim i tillë nga ana e gjyqtarit kur ka pasur qindra opsione tjera të parapara me Kodin Penal”, ka thënë ai.

Vlaskvoqi, i cili u lirua para 4 ditëve, sipas Mujës, ka dosje kriminale dhe është pjesë e grupit kriminal “Udarna Ekipa”.

“Vetëm njëri prej të liruarve në dorëzani, Nemanja Vlaskoviq, që së fundmi ka sulmuar gazetarët, ka dosje të thukët kriminale. Ai, përveç tjerash, ka punuar në komunën paralele të Leposaviqit. Po ashtu, ai është pjesë e grupit kriminal “Udarna Ekipa’’, që merren me sulme të befasishme me mjete të forta dhe shpërthyese ndaj PK-së, Qeverisë etj. Po ashtu, i dyshohet edhe per vepra tjera.”, ka thënë ai.