Veton Mujaj nga Demokracia në Veprim ka vlerësuar se takimet e nisura nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me liderët e partive parlamentare krijojnë një dozë optimizmi për tejkalimin e krizës politike, por nuk garantojnë se vendi do t’i shmanget zgjedhjeve të reja.
Mujaj, i ftuar në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se është pozitiv fakti që dialogu politik ka nisur para krijimit të institucioneve të reja, megjithëse rezultati i takimit ndërmjet Kurtit dhe kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, nuk prodhoi ndonjë përparim konkret.
“Një optimizëm e jep edhe kjo mundësia që me u taku para se me u kriju institucionet. Mirëpo, nuk është një optimizëm që garanton që ne nuk do të shkojmë në zgjedhje – u pa mirë që Kurti para se të fillojë krijimin e institucioneve të Kuvendit dhe Qeverisë që e ka mundësinë ta bëjë këtë u bë mirë që ftoi liderët e partive tjera në takime dhe urojë që nëpërmjet këtyre takimeve të ketë përafërsi me LDK-në pasi me PDK-në e pamë që nuk prodhoi asgjë – por kjo nuk kryn punë nëse në rrjedhë nuk hynë edhe AAK-ja”, u shpreh Mujaj.
Ai shtoi se ende ka kohë për zhvillimin e takimeve të tjera, ndërsa veçoi rëndësinë e një takimi mes Kurtit dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Sipas tij, ky takim do të tregojë nëse ekziston vullneti për një marrëveshje politike, veçanërisht lidhur me çështjen e presidentit.
“Kohë kemi akoma që të ketë mundësi edhe për takime tjera, por takimi me Abdixhikun është me rëndësi për të parë se ne cilën pikë po arrijnë bashkë duke e ditur çështjen e presidentin pasi nëse s’ka pajtueshmëri rrezikojmë të shkojmë prapë në zgjedhje”, u shpreh Mujaj.