I ftuar në emisionin “Five”, ish-ministri i Industrisë, Ismet Mulaj, ka kritikuar mungesën e një strategjie të qëndrueshme të Kosovës në sektorin e energjisë, duke e quajtur këtë dështim si një problem që zgjat prej më shumë se dy dekadash.

“Kjo nuk është problematikë e sotit, por një çështje e 25 viteve pas luftës. Kosova nuk është një vend i izoluar, ajo vetë prodhon, vetë shpërndan dhe vetë konsumon energji elektrike, ndaj strategjia duhej të ishte shumë më gjithëpërfshirëse”, theksoi Mulaj.

Sipas tij, Kosova duhej të kishte analizuar me kujdes të gjitha potencialet rajonale dhe ndërkombëtare, duke përcaktuar qartë nevojat dhe ofertën për dekadën apo dy dekadat në vijim.

Tutje ish-ministri i Industrisë, Mulaj, ka ngritur shqetësimin për mënyrën e nxjerrjes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, pa asnjë parapërgatitje konkrete dhe pa kushte reale për konkurrencë.

“Të gjithë thonë se biznesi nuk është i përgatitur për treg të lirë – por a pati ndonjëherë ndonjë mundësi reale për t’u përgatitur? Kur ka pasur vetëm një operator ekonomik që ofronte energji, ku mund të përgatiteshin ndryshe?”, shtroi pyetjen Mulaj.

Ai kritikoi ashpër institucionet për vendimmarrje ad-hoc, duke theksuar se mungesa e një procesi të organizuar ka ndikuar drejtpërdrejt në paaftësinë e bizneseve për të përballuar sfidat e reja të tregut të liberalizuar.

Mulaj ka ngritur alarmin për rreziqet që sjell mungesa e bashkëpunimeve strategjike dhe e kapaciteteve vendore të prodhimit të energjisë, veçanërisht në kohët kur kërkesa është më e lartë.

“Kur Kosovës i duhet më së shumti energjia elektrike, ndërhyjnë shtetet përmes mekanizmave të tyre për të dëmtuar ekonominë e vendit. Secili shtet e mbron ekonominë e vet – pse të mos bëjmë edhe ne të njëjtën gjë?”, deklaroi ai.

Mulaj kërkoi që Kosova të fokusohet në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe të hyjë në bashkëpunime gjeneruese, sidomos me shtetet mike si Shqipëria, për të siguruar stabilitet dhe pavarësi energjetike në afatgjatë.