“Mund të iknin nga Kosova nëse lirohen”, Kuçi vlerëson vendimin për paraburgim ndaj pesë të arrestuarve për rastin “Reçaku II”

Gurakuç Kuçi nga Instituti “Octopus”, ka vlerësuar vendimin për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj pesë të arrestuarve gjatë një operacioni të përbashkët të Prokurorisë Speciale dhe Policisë së Kosovës, që lidhet me hetimet për krime lufte në rastin e njohur si “Reçaku II”.

Sipas tij, lirimi i tyre në këtë fazë do të krijonte rrezik për shmangie nga drejtësia, duke pretenduar se ekziston mundësia që të largohen nga Kosova.

“Nëse këta persona lirohen, ekziston rreziku që të gjejnë mënyra për t’u larguar nga Kosova dhe për t’iu shmangur drejtësisë,” ka deklaruar Kuçi.

Ai ka shtuar se proceset e tilla janë ndikuar edhe më herët nga zhvillimet politike dhe mungesa e ndërhyrjes së menjëhershme në çështjet e ndjeshme të pasluftës, duke përmendur edhe mungesën e provave të plota në disa raste.

Kuçi ka folur edhe për situatën e sigurisë në veri të vendit, duke pretenduar se më herët zona ka qenë e ndikuar nga struktura kriminale, ndërsa sipas tij, ndryshimet e fundit kanë krijuar hapësirë për veprime më të vendosura të organeve të drejtësisë.

“Deri më tani ka pasur ndikime që të ruhet një lloj konsistence për shkak të dialogut dhe mosndërhyrjes së menjëhershëm në çështje të tilla e po ashtu edhe mungesa e fakteve. Gjykata nuk mund të veprojë ndryshe përkundrazi që ne e dimë të vërtetën. Dhe përveç tjerash ne e kemi pasur një fakt deri më tani që shumica e këtyre kriminelëve kanë jetuar në veri të Kosovës dhe veriu ka qenë i sunduar nga bandat e Milan Radojçiqit dhe bandat serbe e për Kosovën ka qenë një lloj forme reagime në atë masë siç mund të reagoj sot”, ka theksuar ai.

Ai theksoi se veprimet e fundit hetimore lidhen me dëshmi dhe deklarata të dhëna ndër vite nga viktimat për krime lufte në Kosovë.

“Duhet të reagojmë me shpejtësi për shkak se akoma i kemi viktimat gjallë një pjesë e tyre janë akoma gjallë. Këta persona kanë dhënë dhjetëra deklarata që nga paslufta nëpër institute organizata ndërkombëtare e vendore të ndryshme për krimet e luftës në Kosovë”, ka deklaruar ai në emisionin Rreth e Rrotull.

Të fundit nga rubrika