Mungesa e barnave në QKUK, Krasniqi thotë se shkaqet janë buxheti dhe procedurat administrative

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK), Valbon Krasniqi, ka thënë se shkaqet kryesore për mungesë të barnave esenciale janë buxheti dhe procedurat administrative për lidhjen e kontratave me kompanitë që e kryejnë furnizimin me barna.

Teksa ka theksuar se asnjëherë nuk kanë premtuar se do të realizohet një kërkesë e tillë për 100 për qind, Krasniqi ka thënë se gjatë vitit 2021, furnizimi me barna ishte më i menaxhueshëm.

“Normalisht ne asnjëherë nuk kemi thënë se mund të arrijmë t’i sigurojmë 100% barnat për shkak të kufizimeve qoftë në buxhet qoftë të procedurave për lidhjen e kontratave”, është shprehur Krasniqi.

Sipas tij, një nga objektivat kryesore gjatë vitit të kaluar, përveç menaxhimit të pandemisë COVID-19, ishte edhe furnizimi me barna dhe material shpenzues mjekësor.

Ilustrim

“Viti 2021 ka shënuar vitin me furnizimin më të qëndrueshëm stabil dhe sasi më të mëdha të barnave për të gjitha klinikat e QKUK dhe spitalet e përgjithshme”, ka thënë ai për EO.

Një ndër shqetësimet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, është edhe lista e gjatë e pritjes për marrje të shërbimeve.

Lidhur me këtë, drejtori Krasniqi ka deklaruar se e njëjta do të reduktohet për 50 për qind.

“Jemi duke i adresuar me seriozitet listat e pritjes gjatë këtij viti dhe një nga objektivat kryesore është të reduktojmë këtë listë të pritjeve brenda këtij viti në masën 50 për qind”, ka përfunduar Krasniqi.

Po ashtu, Krasniqi derisa ka përmendur funksionalizimin e Spitalit Pediatrik, ka theksuar se ka mbetur pa u transferuar reparti i Neonatologjisë Intensive.

“Janë funksionalizuar ambulancat e Emergjencës, e Kirurgjisë Pediatrike, ndërsa reparti i Kirurgjisë, ndërkohë ka mbetur pa u transferuar Neanatologjisë Intensive”, ka shtuar ai.

QKUK

Ndryshe, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, teksa është pyetur për përgatitjen e strategjisë për zvogëlimin e listave të pritjes, ka thënë se janë pesë elemente përmes së cilave synojmë që t’i zvogëlojnë listat e pritjes nëpër spitale.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, në seancën plenare të së enjtes së shtatë prillit, ka thënë se nuk justifikohet lista e pritjes për procedura diagnostikuese.

“Në Kuvend ka pasur dy përpjekje për miratimin e ligjit për transplantimin e organeve në legjislatuarat e kaluara, por për shkak të shpërbërjes së Kuvendit nuk ka arritur të miratohet. Cila është arsyeja për mosplanifikimin e këtij ligji. Prej që është emëruar Bordi i ri i SHSKUK listat e pritjes së pacientëve po rriten përsëri. Lista e pritjes është rritur shumë për procedurat diagnostikuese, siç është për koronarografia”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, ministri Latifi ka thënë se me anë të pesë elementeve do të synojnë t’i zvogëlojnë listat e pritjes.

Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi

“Kemi 10 mijë pacientë në pritje për shërbime të ndryshme. Ky numër është shqetësues. Për ta zvogëluar këtë pabarazi enorme, besoj se mund ta bëjmë përmes elementeve si krijimi i qendrave ekselente, përgatitja profesionale e kuadrit të lartë dhe të mesëm shëndetësor, shtimi i kuadrove si ato të anestezionit dhe tjerat, nevojat e avancimeve teknologjike në të gjithë sistemin tonë, dhe duhet forcuar kujdesi primar shëndetësor si një nga shtyllat më të rëndësishme”, ka deklaruar Latifi.

Në anën tjetër, ai ka shtuar se shumë shpejt do ta sjellin në Kuvend ligjin për transplantimin e organeve dhe indeve.

Shija e redaktorit

Shtëpia Botuese “Dukagjini” vjen me ofertë deri në 50 %...

Festivali dhe Panairi i Librit për Fëmijë po vjen me edicionin e dytë me radhë, andaj një festë e madhe po përgatitet për të...

Osmani: Protesta e 1 Tetorit ndryshoi rrjedhën e historisë dhe...

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka thënë se protesta e 1 Tetorit 1997 ishte moment kyç në historinë e lëvizjes së rezistencës në Kosovë. Osmani...

Rutte merr udhëheqjen e NATO-s, e shpall Ukrainën prioritet kryesor

Mark Rutte, ish-kryeministër i Holandës, është emëruar Sekretari i ri i Përgjithshëm i NATO-s, duke zëvendësuar Jens Stoltenberg, i cili udhëhoqi Aleancën për një...

Të fundit nga rubrika