Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar përkohësisht punimet në një objekt ndërtimi në komunën e Istogut, pasi gjatë inspektimit ka konstatuar parregullsi lidhur me zbatimin e masave për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Sipas Inspektoratit, në objekt nuk ishin marrë masat e nevojshme të sigurisë për zhvillimin e punës në kushte të sigurta.
Për këtë arsye, Inspektorati Qendror i Punës ka nxjerrë vendim për ndalimin e përkohshëm të punimeve deri në eliminimin e të gjitha mangësive të evidentuara dhe krijimin e kushteve të sigurta për punë.
Inspektorati ka bërë të ditur se do të vazhdojë mbikëqyrjen e zbatimit të legjislacionit të punës, ndërsa ka apeluar te punëdhënësit që të respektojnë standardet e sigurisë dhe shëndetit në punë, me qëllim të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.
