Seanca gjyqësore ndaj kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dhe disa ish-deputetëve të tjerë, është shtyrë përsëri këtë të martë, pasi kryeparlamentari nuk ishte i pranishëm.

Sipas avokates së Konjufcës, ai gjendet jashtë vendit për shkak të angazhimeve të tjera.

Gjykata e ka caktuar seancën në mungesë të Konjufcës, ndërsa avokatja ka kërkuar që seancat gjyqësore të mos planifikohen në ditët kur janë të caktuara seanca të Kuvendit, ose kur Konjufca ka angazhime të tjera.

Kjo kërkesë ka shkaktuar debat në gjykatë, ku gjyqtari Adnan Kamberi është shprehur se gjykata nuk mund të përshtatet me agjendën e askujt, duke theksuar se ajo ka punën e saj.

Në këtë rast, deputetët Pal Lekaj e Time Kadrijaj dhe ish-deputetet Besa Baftiu, Aida Dërguti e Teuta Haxhiu, akuzohen për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” pasi akuza për “pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” është parashkruar.

Ata akuzohen se më 14 dhjetor 2015 kishin përdorur gazin lotsjellës duke pamundësuar qëndrimin e deputetëve brenda sallës së Kuvendit dhe Kryesisë për miratimin e ligjeve sipas rendit të ditës.