Në mungesë të të akuzuarve Pal Lekaj, Donika Kadaj Bujupi dhe Besa Baftiu, të premten ka dështuar të mbahet seanca për gazin lotsjellës.

Në seancë është paraqitur vetëm e akuzuara Albulena Haxhiu, e cila deklaroi se dëshiron mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Ndërsa në mungesë të të akuzuarve Lekaj, Kadaj-Bujupi dhe Baftiu gjyqtari i rastit, Bujar Ahmeti ndërpreu seancën e sotme dhe të njëjtën e caktoi për një datë tjetër.

Gjyqtari Ahmeti njoftoi se për të akuzuarin Lekaj dhe Baftiu, gjykata nuk ka dëshmi se të njëjtit e kanë pranuar ftesën e që sipas njoftimit të njëjtit janë shpërngulur nga adresa.

Ndërsa, për të akuzuarën Kadaj – Bujupi, gjykata ka dërguar ftesë të rregullt por e njëjta nuk i është përgjigjur kësaj ftese.

Po ashtu, gjyqtari Ahemti njoftoi palët se nga mbrojtësi i të akuzuarit Lekaj, avokati Musa Damati, përmes një parashtrese të dorëzuar kësaj gjykata i ka kërkuar nga gjykata shterjen e kësaj seance.

Ndryshe seanca e datës 21 nëntor 2025 kishte dështuar në mungesë të akuzuarve, Pal Lekaj, Besa Baftiu dhe Donika Kadaj-Bujupi.

Në këtë rast, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi dhe Besa Baftiu, akuzohen për posedim të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës më 2016 /BetimipërDrejtësi