Murati: Asnjë kategori s’është përjashtuar nga subvencionimi i energjisë
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur lajme të rreme që Qeveria nuk ka përjashtuar asnjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike. Sipas tij, synimi është të zgjerohet lista e familjeve të mbështetura. Murati ka pohuar se lajmet e pavërteta nuk kanë vend në debatin publik dhe ka shprehur pakënaqësinë për interpretimet e pasakta […]
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka quajtur lajme të rreme që Qeveria nuk ka përjashtuar asnjë kategori nga subvencionimi i energjisë elektrike.
Sipas tij, synimi është të zgjerohet lista e familjeve të mbështetura.
Murati ka pohuar se lajmet e pavërteta nuk kanë vend në debatin publik dhe ka shprehur pakënaqësinë për interpretimet e pasakta që janë bërë nga disa medie.
Ai ka thënë se programi aktualisht është në fazën e pilotimit dhe ka për qëllim të subvencionojë familjet në bazë të të ardhurave, duke theksuar se sa më pak të ardhura, aq më i lartë subvencionimi.
“Programi i ri është në fazën e pilotimit, dhe kemi paraparë një fazë/grup aplikimesh për të trajtuar sfidat dhe rregulluar çdo problem që ka dalë gjatë fazës së parë”, ka shtuar ministri Murati.
Murati ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet se invalidët e luftës janë përjashtuar automatikisht nga subvencionimi për shkak të pensioneve të tyre të larta.
“Një tjetër argument i thënë në këtë lajm e që nuk qëndron ishte se invalidët e luftës përjashtohen me automatizëm sepse pensioni i tyre është së paku 225 euro, dhe kësisoj e tejkalojnë nivelin e përcaktuar prej 150 euro për kualifikim”, ka shkruar ai.
Po ashtu, ai ka thënë se të ardhurat nga pensionet invalidore janë të përjashtuara nga llogaritja dhe se çdo aplikant do të kualifikohet në bazë të të ardhurave të përpjesëtuara në numrin e anëtarëve të familjes.
“Por edhe nëse dikush ka të ardhura tjera nga biznesi apo nga paga, atëherë ato të ardhura përllogariten dhe përpjestohen me numrin e anëtarëve të familjes dhe përderisa mesatarja për anëtar është më pak se 150 euro/muaj, atëherë familja kualifikohet për subvencionim. Shembull: një veteran invalid i luftës, përveç pensionit mund të ketë të ardhura nga paga 400 euro/muaj, por nëse janë 5 anëtarë të familjes, atëherë mesatarja për anëtar i bie 80 euro/muaj, e që është nën tavanin prej 150 euro/muaj, dhe rrjedhimisht kualifikohet për subvencionim”, ka shkruar tutje ai.
Ministri ka theksuar se programi ka hasur në disa sfida gjatë fazës së parë të aplikimeve, dhe ka bërë thirrje për mirëkuptim nga qytetarët dhe mediet gjatë fazës së dytë të aplikimeve.















