Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka shprehur shpresën se gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës do të ketë ndryshim qëndrimi nga ana e opozitës.

“Uroj që të ndërrojë qëndrim opozita në mënyrë që të zhbllokohet procesi”, deklaroi Murati.

Seanca konstituive e legjislaturës së nëntë ka nisur më 15 prill dhe deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

Propozimi për kryeparlamentar është e drejtë ekskluzive e fitueses së zgjedhjeve, LVV-së, por në gjashtë votime, kandidatja e tyre, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur t’i marrë votat e nevojshme, përkatësisht 61.