Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reagua pas vendimit të Gjykatës Supreme për të shfuqizuar udhëzimin administrativ që parashihte kalimin drejt arkave fiskale digjitale në Kosovë.

Supremja shfuqizon udhëzimin administrativ të Hekuran Muratit: Është deputet, vendimi kundërkushtetues

Murati e cilësoi vendimin si “absurd” dhe të dëmshëm për bizneset tatimpaguese, duke akuzuar sistemin gjyqësor se po i mban peng reformat e nevojshme në ekonominë e vendit.

“Monopoli i arkave fiskale me kosto enorme për bizneset tatimpaguese, i vendosur në kohën kur Bedri Hamza kishte qenë Ministër i Financave, parashihej të merrte fund me Udhëzimin e Ri Administrativ, i cili hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, siç tashmë e kanë bërë edhe shumica e shteteve në rajon.

Mirëpo sot Gjykata Supreme, me gjykatës Delushe Halimi, Lumni Sallauka, dhe Franciska Zhitija-Ymeri, paska vendosur që Udhëzimi Administrativ për arka fiskale digjitale të shfuqizohet.

Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale.

Si pasojë e këtij vendimi, bizneset do të vazhdojnë të kenë kosto vjetore prej mbi 5 milionë euro në vit”, ka shkruar Murati.