Për të nëntën herë radhazi, Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta konstituohet, pasi edhe seanca e së enjtes përfundoi pa zgjedhjen e kreut të Kuvendit.

Ndryshe nga herët e kaluara, kësaj radhe Lëvizja Vetëvendosje, fituese e zgjedhjeve, nuk e propozoi drejtpërdrejt kandidaten e saj, Albulena Haxhiu. Përmes kryesuesit të seancës, Avni Dehari, u tentua që zgjedhja e kryetares të bëhej përmes votimit të fshehtë – kjo u kundërshtua nga blloku ish-opozitar.

Mirëpo, kjo qasje është kritikuar edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile. Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në Debat Plus, e cilësoi këtë përpjekje si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet demokratike.

“Problemi është se kjo mënyrë e votimit u tentua të imponohet në mes të procedurës, që është jashtë çdo standardi. Dhe e cenon integritetin e Kuvendit”, ka thënë Cakolli.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar ndaj kritikave duke i quajtur ato të pabaza.

Në një postim në Facebook, Murati ka thënë se metoda e votimit nuk po ndryshohet në mes të procesit, por në fillim të secilit proces të ri që rifillon pas çdo dështimi.

Cakolli: Votimi i fshehtë vlen për seancat e rregullta, jo për ato konstituive

“Për ata që po ankohen se sot u ndryshua metoda e votimit në mes të procesit:

Jo, nuk po ndryshohet metoda e votimit në mes të procesit. Metoda e votimit po ndryshohet në fillim të procesit.

Sa herë që dështon një proces votimi, siç ka ndodhur në seancat e kaluara, rifillon një proces i ri.

Prandaj secilën herë, siç edhe e keni vërejtur, në çdo proces të ri, Kryesuesi i seancës e fton përfaqësuesin e partisë fituese, Lëvizja Vetëvendosje, ta propozojë nominimin për Kryetar të Kuvendit”, ka shkruar Murati.